Përfundon pa marrëveshje takimi i Merkel me aleatët qeverisës, për klandestinët

417
Nuk ka prodhuar asnjë marrëveshje takimi mes krerëve të partive në koalicionin qeverisës gjerman, të cilët ndajnë mendime krejt të kundërta sa i përket mënyrës së menaxhimit të fluksit të klandestinëve në vend.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua me kreun e Bavarisë, njëkohësisht kryetar i partisë CSU dhe me socialdemokratin Sigmar Gabriel për të diskutuar një zgjidhje mbi këtë çështje. Mosmarrëveshja kryesore mes palëve është proçesi i azilkërkërkuesve.
“Ne duam një marrëveshje mes qeverisë federale dhe qeverive vendore për vendet se ku do të ndërtohen qendrat e hyrjes”, tha lideri i SPD, Sigmar Gabriel, duke hedhur idenë që në vend të një qendre të madhe të ndërtohen disa të vogla dhe në qytete të ndryshme për të kryer kontrollet dhe për të bërë regjistrimin e tyre para se të shpërndahen në qendrat strehimore.
Gjermania është destinacion kryesor për azilkërkuesit nga Lindja e Mesme, Afrika e veriut e Azia Jugore dhe numri i tyre në total pritet të shkojë në një milion deri në fund të këtij viti.
Bavaria mban barrën kryesore të fluksit që vjen nga Austria, më të cilën u arrit një marrëveshje të shtunën për kufizim të numrit të tyre në 50 orët e ardhshme.
Horst Seehofer është kritiku më i ashpër i politikave të Merkel për emigrantët. Gjatë javëve të fundit ai ka lëshuar një sërë ultimatumesh, duke kërcënuar qeverinë se do të marrë vendime të pavarura për të parandaluar fluksin e refugjatëve.
Propozimi i tij është të kontrollojë dhe klasifikojë azikërkuesit që në kufi, para se të hyjnë në Gjermani.
Sigal