Përfundojnë takimet në Vjenë për emrin, por gjithçka mbahet sekrete

580
Rreth gjashtë orë ka zgjatur takimi mes ministrit të Jashtëm Nikolla Dimitrov, homologut të tij grek Nikos Kocias, dhe ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic.
Pavarësisht kohëzgjatjes së këtij takimi, e gjitha që u tha publikisht, është se palët kanë vendosur të vazhdojnë përpjekjet nën mbikëqyrjen e OKB-së.
“Pas takimit konstruktiv që është pjesë e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme dhe të përbashkët për tejkalimin e dallimeve rreth emrit, ministrat e punëve të jashtme ranë dakord që të vazhdojnë përpjekjet nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme.
Në kryeqytetin e Austrisë, Dimitrov dhe Kocias u takuan edhe një natë më parë për të sqaruar pozicionet para takimit me Nimicin.
Edhe pse zyrtarisht palët nuk konfirmojnë, mediat thonë se bisedimet nuk zhvillohen më për të përcaktuar se cili do të jetë emri, por përdorimi i tij, nacionaliteti dhe gjuha.
Mediat greke shkruajnë se vendi i tyre ka përpiluar një pjesë të draft-marrëveshjes e cila ka qenë bazë e bisedimeve të Vjenës. Bisedimet mund të vazhdojnë edhe në takimin joformal të ministrave të jashtëm në Sofje, më 15 dhe 16 shkurt, të enjten dhe të premten.
Pjesa tjetër e draftmarrëveshjes, sipas mediave greke, do të diskutohet në Shkup pas vizitës nëpërmjet rrugës ajrore nga Athina, kur edhe në praktikë aeroporti në Shkup të marrë emrin e ri. Nektarios Santorinos, ministër në Qeverinë e Ciprasit në intervistë për televizionin grek “Skaj” nuk komentoi takimin e fundit ndërkohë që ishte duke u zhvilluar, por ishte i prerë se një emër erga-omnes nënkupton ndryshime kushtetuese.
“Pozita jonë është e qartë; emër i përbërë me përdorim të përgjithshëm. Kur themi me përdorim të përgjithshëm mendojmë edhe për brenda vendit fqinj. Kur themi për përdorim të përgjithshëm, parakusht është edhe ndryshimi i Kushtetutës”, tha ministri grek Nektarios Santorinos.
Në kuadër të bisedimeve, nuk përjashtohet mundësia që së shpejti të ketë edhe një takim tjetër mes dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Burime nga Qeveria, ditë më parë njoftuan se muaji mars mund të jetë vendimtarë për emrin dhe në rast se marrëveshja dështon, është e mundur që në negociata të përfshihen edhe lehtësues diplomatikë.
Sigal