Për tre ditë skandon afati – Orët e fundit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë

81
Liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski i kanë mbetur edhe tre ditë për të bërë tentimet e fundit për formimin e Qeverisë.
Takime sekrete, biseda interne dhe komunikime përmes kanaleve të ndryshme janë përpjekjet që Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të gjejnë kompromisin me partnerin e tij të deritanishëm qeveritar Ali Ahmetin, liderin e BDI e cila me 10 deputetët që fitoi në zgjedhjet e 11 dhjetorit është vendimtare për formimin e Qeverisë, informon INA.
Ahmeti dhe Gruevski zyrtarisht dhe siç kishin informuar kanë mbajtur vetëm një takim për qeverinë e re, por duke mos konkretizuar asgjë për të vazhduar bashkëqeverisjen.
Kjo është pamundësuar për shkak të kushteve të Ahmetit për zyrtarizimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit si dhe shtyrjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, për të vazhduar hetimet lidhur me skandalin e përgjimeve. Këto dy kushte janë të papranueshme për liderin e VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, i cili ka refuzuar pranimin e tyre, duke theksuar se me këtë vendi do të rrëshqas drejt federalizimit apo kantonizimit.
Gruevski ka edhe tre ditë për të bërë qeverinë, ndërsa gjasat janë shumë të pakta që ai të arrijë marrëveshje. Kjo situatë është parë që nga dita kur ai mori mandatin për formimin e Qeverisë. Praktika e deritanishme ka treguar se gjatë periudhës së bashkëqeverisjes 2008 – 2016, VMRO-DPMNE dhe BDI që në ditët e para ishin marrë vesh për bashkëqeverisje, dhe se nuk ishte zvarritur procesi për formimin e qeverisë.
Sipas Kushtetutës, nëse Gruevski nuk arrin që të formojë Qeverinë, atëherë mandatin e dhënë ia dorëzon presidentit Ivanov, i cili duhet tia jep partisë së dytë, në këtë rast LDSM. Por disa ekspertë të çështjeve kushtetuese kanë thënë se Kushtetuta nuk lejon që mandati ti kalojë partisë së dytë dhe se opsioni i vetëm është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.