Pence: Të gjitha alternativat janë në tavolinë për Phenianin

455
Nënpresidenti amerikan Mike Pence po paralajmëron se “të gjitha alternativat janë në tavolinë” në lidhje të trajtimit të situatës me Korenë e Veriut.

Zoti Pence e bëri të ditur paralajmërimin të martën pas mbërritjes në Tokio për bisedime me kryeministrin Shinzo Abe dhe zyrtarë të tjerë. Ai e siguroi udhëheqësin japonez se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të palëkundur përkrah aleatit aziatik gjatë asaj që ai e quajti “kohë sfiduese”.

“Gjatë vizitës në Korenë e Jugut bëra të ditur në emër të presidentit se epoka e durimit strategjik ka mbaruar. Ndërsa të gjitha alternativat janë në tavolinë, Presidenti Trump është i vendosur të punojë ngushtë me Japoninë, Korenë e Jugut dhe të gjithë aleatët tanë në rajon dhe Kinën për të arritur një zgjidhje paqësore që Gadishulli Korean të jetë pa armë bërthamore.”

Zoti Abe mirëpriti qasjen amerikane për të gjitha alternativat ndaj regjimit të izoluar komunist.

“Padyshim, duhet kërkojmë zgjidhje paqësore të çështjes, megjithëse mendoj se dialogu për hir të dialogut është i pakuptimtë. Është e nevojshme të ushtrojmë presion ndaj Koresë së Veriut për t’u angazhuar në dialog serioz.”

Vizita e zotit Pence në Azinë Verilindore vjen në një kohë tensionesh të larta pas përpjekjeve sfiduese të Koresë së Veriut për të ndërtuar një raketë balistike me mbushje bërthamore me aftësi për të arritur në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump dislokoi një aeroplanmbajtëse me energji bërthamore në rajon si reagim mbi njoftimet se Pheniani po përgatitej të kryente një provë bërthamore gjatë festimeve të ditëlindjes së ish udhëheqësit komunist Kim Il Sung.

Koreja e Veriut nuk e kreu provën bërthamore që do të ishte e gjashta, por zhvilloi një paradë të madhe ushtarake të shtunën, duke treguar disa prej raketave me rreze të gjatë veprimi dhe atyre që lëshohen nga nëndetëset. Regjimi lëshoi një raketë nga baza e nëndetëseve Sinpo të dielën e cila shpërtheu vetëm pak sekonda pas lëshimit.
Sigal