Pastroi 4 mld USD me “Bitcoin”, kërkohet nga SHBA dhe Rusia

560
Shtetasi rus Alexander Vinnik, i shumëkërkuar si nga Rusia, ashtu edhe nga SHBA, pasi akuzohet se ka kryer një krim kibernetik në një operacion të madh për pastrimin e 4 mld dollarëve duke përdorur monedhën elektronike “Bitcoin”, është sjellë për t’u gjykuar nga hyrja e pasme në Gjykatën e Selanikut, nën shoqërimin e forcave të shumta policore.
Në seancën gjyqësore, që e ka ndjekur edhe konsulli rus në Selanik, është shqyrtuar kërkesa e organeve amerikane, e çuar nga Ministria e Drejtësisë, që ka kërkuar ekstradimin e 38-vjeçarit rus në Shtetet e Bashkuara. Edhe Rusia ka kërkuar gjithashtu që ai të kthehet në atdhe, ku e presin akuzat e mashtrimit.
Përshtypje të madhe ka bërë fakti që për mbrojtjen e tij, i akuzuari rus ka marrë një prej juristëve më të mirë të vendit, zotin Aleksandros Lykourezos.
“Prokurori ka kërkuar me një propozim të pabazuar që të pranohej ekstradimi i tij në SHBA, por ne e kundërshtuam duke parashtruar të gjitha faktet, si ato thelbësore, ashtu dhe ato ligjore”, tha Alexandros Lykourezos, avokat mbrojtës.
Sipas avokatit mbrojtës, pavarësisht akuzës, sipas së cilës thuhet se 38-vjeçari ka pastruar gati 4 miliardë dollarë që nga viti 2011, ai është një shtetas i varfër dhe kjo duhet marrë si kusht lehtësues.
Por kjo bie ndesh me faktin që Vinnik është arrestuar në fund të korrikut në Greqinë veriore, kur ai qëndronte në një hotel lukzos në Halkidiki, ndërsa i janë sekuestruar pajisje elektronike si celularë, kompjutera apo tableta. 38-vjeçari rus, i cili ka mohuar çdo akuzë, nëse ekstradohet në Shtetet e Bashkuara përballet me 55 vite burg. Vendimi i gjykatës pritet të mërkurën, në datën 4 tetor.
Sigal