Pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova përball ngërçit të formimit të qeverisë së re

533
Kosova mund të përballet me një ngërç të ri kur është në pyetje formimi i Qeverisë së ardhshme. Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma. Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse. Komunitetet mbeten në kuotat e njëjta: serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit nuk kanë nxjerr një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve. Andaj, lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja. Formim i Qeverisë kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit. Kështu që koalicioni PAN, edhe nëse do të llogariste në të gjitha votat e pakicave, 20 gjithsej, nuk do të arrinte ta formonte Qeverinë e ardhshme pa lidhjen e një koalicioni me ndonjë prej subjekteve shqiptare – qoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo edhe partitë më të vogla, si Aleanca Kosova e Re (AKR) apo Alternativa.
Marrë parasysh që koalicioni PAN do ta ketë mjaftë vështirë ta formojë Qeverinë e ardhshme, formula logjike do të ishte që nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë Qeverinë, mandati t’i kalohej subjektit të dytë – ngjashëm me modelin e Maqedonisë. Sipas këtij modeli, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën do ta formonin Qeverinë, kurse subjekti fitues do të dilte të opozitë. Megjithatë, nëse procesi i ndërtimit të Qeverisë do të thirrej në precedentin tashmë të krijuar, ky model do të binte poshtë menjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, e kishte interpretuar formimin e Qeverisë si të drejtë ekskluzive vetëm për koalicionin apo partinë politike që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast del të jetë vetëm koalicioni PAN. Bazuar në këtë interpretim, Vetëvendosje mund të futet në Qeveri vetëm nëse e pranon koalicionin me PAN-in, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës me të cilën Vetëvendosje është deklaruar se nuk do të lidhë në asnjë rrethanë koalicion qeverisës.
Një formulë tjetër “magjike”, e cila përflitet, mund të jetë prishja e dy koalicioneve parazgjedhore sapo që Kuvendi i Kosovës të konstituohet. Sipas kësaj formule, Partia Demokratike e Kosovës do të ndahej nga partitë aktuale në koalicion, duke synuar që të merr sipër mandatin për formimin e Qeverisë me një subjekt tjetër, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tashmë nuk është partia e dytë, por e treta. Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndahej nga Aleanca Kosova e Re apo edhe Alternativa dhe në fund, do të përsëritej ajo formula e njohur e koalicionit të gjerë, PDK, LDK dhe pakicat. Për jetësimin e kësaj formule, përfshirja e faktorit ndërkombëtar në negociatat ndërpartiake, vlerësohet se do të ishte e domosdoshme, marrë parasysh që Lidhja Demokratike e Kosovës për të satën herë është deklaruar se nuk do të kthehet më në koalicion me Partinë Demokratike.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Më pas, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota). Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Sigal