Pas vizitës së Kryeministrit të Malit të Zi, pritet votimi i ‘demarkacionit’

604
Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi ka dhënë fryte. Dy palët kanë arritur marrëveshje për demarkacionin. Lajmi është bërë publik nga mediat në Prishinë.
Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Prishtinë përfundimisht pritet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, e cila po e mban të bllokuar Kosovën tash e tre vjet.
Gazeta Express shkruan se nga burimet e saj, Markoviq gjatë takimeve në Prishtinë me liderët kosovarë ka gjetur gjuhë të përbashkët për çështjen e kufirit dhe se kjo temë do të marrë epilog të shpejtë.
Një burim i besueshëm i ka thënë kesja gazete se Prishtina dhe Podgorica kanë rënë dakord që në ditët në vijim të kenë një komunikim intensiv që do ta prodhojë zgjidhjen.
“Dy delegacionet e larta janë dakorduar që të ketë një komunikim intensiv ditëve të ardhshme në të gjitha nivelet dhe të shihet se ku mund të jenë bërë gabimet. Pastaj do t’i hapet rrugë ratifikimit me një procedurë të shpejtë. E gjitha do të kryhet gjatë muajit shkurt”, ka thënë zyrtari i lartë.
Gjatë takimeve me udhëheqësit kosovarë Markoviq ka lënë të kuptohet se vendi i tij do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen.
Sigal