Pas “Brexit”/ Theresa May zbulon të drejtat për emigrantët nga BE, kush përfiton

543
Pas “Brexit”-it, shtetasit europianë, që kanë jetuar në Britaninë e Madhe për të paktën 5 vite, do të përfitojnë të drejta të barabarta me shtetasit britanikë, bazuar në propozimet e bëra publike nga vet kryeministrja Theresa May.

Sipas BBC, Theresa May u ka thënë udhëheqësve të BE-së se, Britania e Madhe nuk dëshiron që rezidentët aktualë të largohen me detyrim, as të ndajë familjet e tyre. Ajo shtoi se marrëveshja do të ofrojë garanci për rreth 3 milionë njerëz, të cilët “kanë krijuar familje, kanë ngritur jetesën e tyre dhe karrierën e tyre, e gjithashtu edhe kanë kontribuar kaq shumë në shoqërinë britanike”.

Të mbërriturit pas datës së shkëputjes, por përpara datës së “Brexit”-it në mars të vitit 2019, do të kalojnë një periudhë prej dy vitesh, për të rregulluar statusin e tyre të emigrantit, me synimin për të përfituar në të ardhmen statusin e rregulluar që ka prezantuar May. Planet në fjalë janë publikuar gjatë samitit të Këshillit të Europës në Bruksel

Statusi i ri për emigrantët do t’u ofrojë atyre të drejtën për të qëndruar në Britani dhe të kenë qasje në sistemin shëndetësor, atë të edukimit, si dhe përfitime të tjera pas “Brexit”-it. Por Theresa May tha se propozimet do të implementohen vetëm nëse të njëjtat të drejta do t’u ofrohen edhe shtetasve britanikë në shtetet e BE-së.
Sigal