Pas 7 orësh debate, liderët e BE-së bien dakord për shpërndarjen e emigrantëve

480
Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord pas shtatë orësh debate për të rishpërndarë dhjetra mijëra emigrantë që kanë mbërritur muajt e fundit në Itali dhe Greqi, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë thirrjes së këtyre vendeve për mbipopullim të porteve dhe qendrave të strehimit. Drejtuesi i samitit, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, njoftoi se 40 000 emigrantë të mbërritur në vendet e unionit dhe 20 000 të tjerë në shtete jo anëtare, do të spostoheshin brenda dy viteve të ardhshme, por nuk do të ketë kuota të detyrueshme, ndërsa njoftoi se ministrat e brendshëm do të pëfundonin detajet teknike brenda muajit korrik.
Vendimi duket se ka qetësuar disi kryeministrin italian, Mateo Renci, por jo dhe aq presidentin e Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, i cili nuk i kurseu kritikat.
Mateo Renci : “Siç e dini, marrëveshja nuk është pëkufizuar plotësisht dhe mund të jetë shumë më ambicioze. Megjithatë është një hap i parë për të thënë më në fund se ka një politikë europiane dhe jo politikë të një shteti të vetëm”
Zhan-Klod Junker : “Fakti që na u deshën disa orë për të ngritur një sistem, tregon qartazi se Europa nuk është në lartësinë e vlerave që promovon çdo ditë dhe sa herë që i jepet rasti”.
Shifrat e reja të agjencisë së refugjatëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara tregojnë se vetëm këtë vit kanë mbërritur në Greqi 63 000 vetë, ndërsa 62 000 në Itali. Pavarësisht kritikave, vendimi është dukur më i pranueshëm nga ana e vendeve anëtare, një pjesë e mirë e të cilëve kundërshtuan propozimin e kuotave fikse të emigrantëve të bërë pas tragjedisë së muajit prill kur 900 emigrantë humbën jetën pasi ishin nisur nga Libia për në Itali.
Përveç Britanisë së Madhe, Irlandës dhe Danimarkës, edhe një pjesë e mirë e shteteve ish-komuniste si Polonia, Çekia, Sllovakia, apo Hungaria, janë kundër pasi pretendojnë se nuk i kanë kapacitetet për të përballuar një emergjencë të tillë.
Sigal