Partitë shqiptare të Maqedonisë kërkojnë ndryshim kushtetues

463
Sigal

Shumica e brishtë prej dy të tretash në parlamentin maqedonas për marrëveshjen e emrit me Greqinë mund të vihet në rrezik nga kërkesa e dy partive të vogla për një ndryshim kushtetues për ta bërë shqipen një gjuhë zyrtare në të gjithë vendin.

Dy parti të vogla opozitare shqiptare në Maqedoni, lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët këmbëngulin se ndryshimi i kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë është një mundësi e mirë për ndryshime të tjera që do të përmirësonin statusin e shqiptarëve në vend.

Ato thonë se mbështetja e tyre e mëtejshme për marrëveshjen e emrit, e cila do të ndryshonte emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, varet nëse palët e tjera pranojnë kërkesat e tyre për një ndryshim kushtetues që do ta bënte zyrtare gjuhës shqipe anembanë vendit.

“Ne mendojmë se është koha që disa nga këto çështje politike që kanë të bëjnë me shqiptarët të jenë pjesë e debatit dhe natyrisht të miratohen në mënyrë që t’i zgjidhim përfundimisht ato,” tha të mërkurën deputeti Fadil Zendeli nga BESA. Ai tha se BESA tashmë ka arritur një marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët për ndryshimet shtesë që planifikojnë të parashtrojnë në parlament këtë javë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka deklaruar më parë se partia e tij dëshiron gjithashtu ndryshime në preambulën e kushtetutës në mënyrë që të thuhet qartë se shqiptarët dhe maqedonasit janë popuj përbërës të vendit. Së bashku këto dy parti të vogla të opozitës kanë katër deputetë në parlamentin me 120 vende, të cilët mund të jenë vendimtar gjatë raundeve të mëvonshme të votimit mbi marrëveshjen e emrit. Partia më e madhe etnike shqiptare në parlament, Bashkimi Demokratik për Integrimin, BDI, në pushtet, tha se nuk kishte ndërmend të rrezikonte procesin e emrit me kërkesa shtesë. “Ne mendojmë se ky proces është një përparësi absolute. Kemi punuar 17 vjet për të arritur në këtë pikë dhe nuk do ta rrezikojmë këtë proces me ndonjë kërkesë shtesë,” tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi. Grubi tha se është i bindur se të gjithë deputetët do ta kuptonin rëndësinë e situatës dhe se “të gjitha partitë shqiptare do të mbështesin dhe do të votojnë për përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes së emrit”. Parlamenti të premten e kaluar kaloi fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes së emrit. Të gjithë deputetët e partive shqiptare votuan në favor. Kjo ndihmoi në arritjen e minimumit prej 80 ligjvënësish, një shumicë prej dy të tretash, në favor të kërkesës së qeverisë për të filluar procedurën për ndryshimin e kushtetutës për të lejuar që emri i vendit të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut, siç kërkohet sipas marrëveshjes së arritur me Greqinë këtë verë. Por për të përfunduar procesin deri në fund të vitit, ligjvënësit do të duhet të votojnë edhe dy herë të tjera. Fillimisht, ata do të duhet të miratojnë projekt-amendamentet e propozuara nga qeveria dhe pastaj, pas një debati publik, ata do të duhet të votojnë për një herë të tretë dhe të fundit. Vota e tretë përsëri do të kërkojë një shumicë prej dy të tretash. Shqiptarët përbëjnë afërsisht një të katërtën e 2.1 milion banorëve të Maqedonisë. Çështja e përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve ishte një temë e nxehtë gjatë vitit 2017 dhe fillimit të këtij viti. Pavarësisht mosmarrëveshjes nga partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE dhe nga presidenti i mbështetur nga VMRO DPMNE, parlamenti ka miratuar tashmë një ligj që rrit përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Megjithatë, atëherë nuk u bënë ndryshime kushtetuese mbi çështjen. Një votim i dytë ishte i nevojshëm për të konfirmuar ligjin, sepse pas votimit të parë, presidenti Ivanov refuzoi ta nënshkruante atë.