Parlamenti maqedonas miraton ndryshimet në qeveri

508
Parlamenti i Maqedonisë i miratoi kandidaturat për ministra të rinj të dy anëtarëve të Lidhjes Social Demokrate. Me 101 vota nga 123 vende sa ka Parlamenti i këtij vendi, Oliver Spasovski, sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së u zgjodh për ministër të Punëve të Brendshme dhe Frosina Remeski e po kësaj partie, ministre e Politikës dhe çështjeve sociale.
Tashmë ish-ministri i Rendit Mitko Cavkov do të marr postin e zëvendës-ministrit të brendshëm dhe Dime Spasov nga ministër bëhet zëvendës-ministër i Politikës sociale. Të dy këta kuadro të VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë, një kuadër tjetër i VMRO-së, Marta Arsovska e merr postin e ministres për Shoqëri informatike dhe administratë. Lidhja Social Demokrate i mori edhe postet e zëvendësministrave të Financave dhe Bujqësisë. Partia pret që me këto ndryshime në qeveri, të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet.
LSDM-ja thotë se ka për synim kryesor sigurimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike që do të mbahen në fund të prillit të vitit 2016. Deputetët e kësaj partie thanë gjatë seancës parlamentare se hapin e parë që do ta bëjnë si pjesë e qeverisë së re, do të jetë demokratizimi i institucioneve dhe garantimi i lirisë së qytetarëve, ashtu siç parasheh Kushtetuta.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE pret nga partia rivale që të bartë përgjegjësi të barabartë dhe të ketë një sjellje konstruktive.
Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se jo vetëm BDI-ja ka dalë e humbur me këto ndryshime, sepse e drejta e vetos së zëvendës-ministrave dëmton edhe interesat shqiptare, në përgjithësi.
Ndërsa, nga Bashkimi Demokratik për Integrim presin që anëtarët e rinj në qeveri të përmbushin zotimeve dhe detyrat. /Zeri i Amerikes/
Sigal