Parlamenti Europian voton pro ndalimit të prodhimit të 10 materialeve plastike

405
Sigal

Ligjvënësit europianë votuan të mërkurën pro ndalimit të disa llojeve të plastikës dhe shtuan përgjegjësinë e prodhuesve për të ricikluar materialin, në një përpjekje për të pastruar oqeanet.

Sipas propozimit të mbështetur nga ligjvënësit, 10 lloje materialesh plastike do të ndalohen gradualisht deri në vitin 2021. Vendet anëtare të BE-së do të detyrohen të riciklojnë 90 për qind të shisheve plastike deri në vitin 2025 dhe të ndihmojnë prodhuesit të përballojnë kostot e menaxhimit të mbetjeve.

Eurodeputetja belge Federique Ries, përshëndeti rritjen e ndërgjegjësimit të publikut.

“Po i dërgojmë një sinjal të fortë industrisë. Mbështetja popullore për këtë nismë po rritet” tha ajo.

“Çfarë objektesh kemi ndeshur më shpesh nëpër plazhe? Plastikë njëpërdorimshme. Dhe së dyti, a ka zgjidhje alternative të pakushtueshme? Nëse po, ne do ta ndryshojmë. Plazhet po shpërfytyrohen, (plastika) përfundon në organizmin e peshqve, po vret kafshët dhe çdo ditë po ndeshet në trupat tanë. Plastika po ndikon shëndetin e njerëzve.”

Deri tani Bashkimi Europian riciklon rreth 25 milionë ton plastikë. Në disa vende qytetarët rimbursohen me para në dorë për të mbledhur dhe ricikluar shishet plastike.

Vendimi përfundimtar i Parlamentit do të duhet të diskutohet më vonë me vendet anëtare, disa prej të cilave druhen se zbatimi nga ana e industrisë do të jetë i vështirë.

Zv./presidenti i Parë i Komisionit Europian Frans Timmermans u shpreh optimist për ndryshimet që kanë ndodhur privat me nxitjen vullnetare të riciklimit.

“Kjo është strategjia e parë në botë që e shqyrton në tërësi rolin e plastikës në ekonomi.  Nëse nuk veprojmë tani, nëse nuk veprojmë me shpejtësi . . . (atëherë) do të kemi më shumë plastikë sesa peshq në oqeane.”

Midis materialeve të ndaluara, ligjvënësit europianë kanë vendosur edhe polistirinën që përdoret për të paketuar ushqimet e çastit, shishet dhe qeset e bio-degradueshme. Parlamenti ka sugjeruar edhe rimburismin e industrisë së duhanit, pasi cigaret përmbajnë pjesë plastike.