Paris, polica përleshet me protestuesit, ndalohen 100 persona

414
Tension në Paris, në sheshin “Republika”, aty ku policia ka vendosur të ndalojë një grup protestuesish të së majtës ekstreme, të cilët kanë tentuar të formojnë një kordon përpara ndërtesës ku pritet të mbahet konferenca mbi klimën. Pavarësisht se autoritetet i kishin paralajmëruar, protestuesit dolën në rrugë, duke detyruar policinë t’i largojë me dhunë. Pamjet e protestuesve që tërhiqen zvarrë në për rrugë janë të shumta. Për momentin raportohet për 100 persona të ndaluar.

Protestuesit janë përleshur me policinë dhe si plumba për të goditur forcat e policisë ata kanë përdorur sendet e ndryshme të vendosura në shesh në homazhet për viktimat e sulmeve terroriste të 13 nëntorit, të cilat ishin vendosur përreth statujës së Marianne. Organizatorët e protestës kërkuan heqjen e ndalimeve për të protestuar, masë e cila është marrë nga qeveria pas sulmeve terroriste që goditën vendin më 13 nëntor. Kishte edhe nga ata protestues që sfiduan forcat policore, duke mbajtur fytyrën të mbuluar. Këta hidhnin gjithçka mundnin kundër policisë. Ndër parullat që mbanin më shumë në duar bien në sy ato me mbishkrimin “ Shtet në emergjencë, shtet policor, mos na hiqni të drejtën për të protestuar”.

Qindra forca police blinduan sot sheshin e Republikës, në mënyrë që të zmbrapsin protestuesit. Ata kanë përdorur edhe gaz lotsjellës kundër gurëve dhe shisheve të protestuersve. Disa prej protestuesve kanë hedhur edhe këpucë, të lëna në shesh mëngjesin e sotëm nga protestuesit paqësor.
Trazirat në Paris vijnë një ditë para se qyteti të presë rreth 100 krerë shtetesh për samitin e klimës. Për zhvillimin e samitit është planifikuar që rreth 100 krerë shtetesh dhe qeverish të jenë prezent të hënën në hapjen e Konferencës së 21¬ të të Klimës Globale – mes tyre Presidenti i SHBA Barack Obama, Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presindenti kinez Xi Jinping.
Sigal