Parandalohet atentati ndaj kancelares Merkel në Pragë, në pranga autori

405
Policia çeke arriti të parandalojë në kohë një atentat ndaj kancelares Angela Merkel, e cila ditën e mërkurë ndodhej në Pragë në kuadër të një vizite zyrtare. Policia ndaloi një burrë, i cili me makinën e tij tip “Mercedes” tentoi të hynte në vargun e automjeteve që shoqëronin kancelaren nga aeroporti drejt selisë së kryeministrisë.
Në makinën e atentatorit të dyshuar u gjetën sende të forta, si edhe bomba gazi lotsjellës. Edhe pse tentoi të bënte rezistencë, ai u vu menjëherë në pranga, ndërsa autoritetet thanë se vepronte i vetëm. Tashmë çështjen e kanë në duar detektivët çekë, për të zbuluar se çfarë motivi e shtyu personin të ndërmerrte një veprim të tillë, i cili mund të kishte rezultuar fatal.
Kancelarja ishte në Pragë në kuadër të një takimi me kryeministrin Bohuslav Sobotka. Merkel po zhvillon një tur me takime zyrtare nëpër Europë, pas vendimit të Britanisë për të lënë Bashkimin Europian. Në Pragë kancelarja u prit me demostrata të mëdha. Protestuesit mbanin në duar pankarta “Merkel po vret Europën”, duke kundërshtuar kështu politikën e dyerve të hapura për refugjatet sirianë.
Sigal