Paralajmërojnë ish-ushtarakët rusë: Mund të ketë përballje të rrezikshme ruso-amerikane!

446
Sigal

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë hyrë në një luftë të
re të ftohtë, që po përplas palët në pjesë të ndryshme të globit, në përpjekjen
e Vladimir Putinit për të sfiduar hegjemoninë amerikane në çështjet
ndërkombëtare.

Ky është mendimi i
ish-ushtarakëve të lartë dhe ekspertëve të politikës së jashtme në Moskë, të
cilët paralajmërojnë se riaktivizimi i dy kampeve të Luftës së Ftohtë mund të
çojë në një përballje po aq të rrezikshme sa ajo e raketave në Kubë, e njohur
ndryshe edhe si “Kriza kubane”.

“Nëse e krahasojmë me
Luftën e Ftohtë, jemi diku mes nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit dhe
krizës së raketave në Kubë”, thotë Gjenerali rus, Evgeny Buzhinsky.

Buzhinsky ka mbajtur
postin e ish-shefit në departamentin e pakteve ndërkombëtare në Ministrinë e
Mbrojtjes ruse dhe aktualisht drejton një qendër private studimore në Moskë për
çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“E thënë ndryshe, po
rrokullisemi drejt një përplasjeje gjithnjë e më të ashpër dhe për më tepër pa
asnjë mekanizëm ndërkombëtar menaxhues të konfliktit”, thotë ai.

Qëndrimi i gjeneralit
të tërhequr rus përforcohet nga deklarata e fundit e Ministrisë së Jashtme në
Moskë, e cila akuzoi Uashingtonin se po përpiqet t’i japë goditjen e fundit
marrëdhënieve mes dy vendeve, duke iu referuar këtu propozimeve në Shtetet e
Bashkuara për sanksione të reja ndaj Rusisë.

Nëse këto sanksione do
të kalojnë, britanikja “The Telegraph” shkruan se Kremlini do të shkëpusë
marrëdhëniet diplomatike dhe do të tërheqë ambasadorin, të paktën deri më 8
nëntor, kur në SHBA zhvillohen zgjedhjet. Pas kësaj date, Moska shpreson në një
raport dhe dialog “më të sinqertë” me pasaardhësin e Obamës.

Presidenti Putin e
bëri të qartë javën e shkuar se në kursin si po rrjedhin ngjarjet, përplasja me
Shtetet e Bashkuara është e pashmangshme. Ai u pyet nga një gazetar rus se a ja
vlente prishja e marrëdhënieve me Uashingtonin për Sirinë?

“Nuk bëhet fjalë për
Sirinë, bëhet fjalë për një shtet që po përpiqet të diktojë qëndrimet e veta në
mbarë botën”, u përgjigj ai.