Paralajmerimi i OKB – Bota po përballet më krizën më të madhe humanitare

446
Bota po përballet më krizën më të madhe humanitare që prej 1945.

Është ky paralajmërimi që vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila ka lëshuar një thirrje për ndihmë në shmangien e një “katastrofe” potenciale.

Nënsekretari i OKB për çështjet humanitare, Stephen O’Brien, tha se më shumë se 20 milionë persona përballen me kërcënimin e urisë në vende si Jemeni, Somalia, Sudani Jugor dhe Nigeria.

Edhe UNICEF më herët ka paralajmëruar se vetëm brenda këtij viti, 1.4 milionë fëmijë mund të vdesin nga uria.

Nënsekretari O’Brien ka thënë se 4.4 miliardë dollarë nevojiten deri në korrik për të shmangur katastrofën. “Jemi në një kohë kritike në histori. Jemi vetëm në fillim të vitit dhe po përballemi me krizën më të madhe humanitare që prej krijimit të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë se 20 milionë persona në 4 vende përballen me urinë. Pa përpjekje kolektive dhe të koordinuara globalisht, njerëzit do të vdesin nga uria.

Më shumë të tjerë do të vuajnë dhe do të vdesin nga sëmundjet.” Ishin këto disa nga fjalët e O’Brien në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit një ditë më parë. Komentet e tij qëndrojnë në të njëjtën linjë me ato të sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.

Një muaj më parë, ai zbuloi se organizata ka marrë vetëm 90 milionë dollarë deri më tani për 2017, pavarësisht premtimeve bujare.

Si zoti O’Brien, edhe Guterres nxiti më shumë mbështetje financiare për të katër vendet e rrezikuara, të cilat janë në nevojë urgjente për ndihmë. O’Brien është shprehur se Kombet e Bashkuara dhe partnerët duhet të jenë të gatshëm të bëjnë më shumë, duke theksuar se katastofa mund të parandalohet.
Sigal