Paralajmërimi i Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë: Bëni kujdes me pesticidet!

590
Kombet e Bashkuara kanë bërë një vlerësim për hapat që duhet të hedhë Shqipëria në mënyrë që të garantohet arritja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Mes gjithë sektorëve, vëmendje të veçantë ka marrë ai për mbrojtjen e ajrit. Referuar sugjerimeve të raportit, theksi vihet tek forcimi i institucioneve që duhet të kujdesen për monitorimin, hartimin e një indeksi për cilësinë e ajrit, si dhe përdorimi sa më pak i pesticideve. Por cilat janë në fakt pesë pika për të cilat Kombet e Bashkuara nënvizojnë marrjen e masave?
Së pari, qeverisë i kërkohet që institucionet e përfshira në monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së ajrit të jenë të akredituara për cilësinë e monitorimit dhe analizat laboratorike, në mënyrë që të mundësojnë të dhëna sa më korrekte, të sakta dhe me vlerë që përputhen me objektivat e cilësisë.
Së dyti, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit i kërkohet që të mbështesë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të zgjeruar rrjetin e cilësisë së ajrit dhe të rregullojë vendndodhjen e stacioneve ekzistuese të monitorimit aty ku shihet e nevojshme. Kjo duhet të marrë parasysh përdorimin sa më të mirë të pajisjeve sipas stacionit të monitorimit, duke kombinuar monitorimin e ajrit në zonat rurale si dhe monitorimin e ndotjes që vjen nga llojet e transportit.
Së treti, qeveria duhet që të sigurohet se Instituti i Shëndetit Publik bën vlerësime të rregullta në ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndet dhe mbështet ndërgjegjësimin për këtë temë përfshirë përdorimin e një indeksi për cilësinë e ajrit.
Qeveria duhet të promovojë përdorimin e parimeve të bujqësisë organike që përfshin një limit shumë strikt në përdorimin e pesticideve dhe fertilizuesve sintetikë, si dhe të promovojë dekompozimin më shumë sesa djegien e mbetjeve bujqësore, kjo mund të kontribuojnë më shumë në ushqimin e shëndetshëm organik, por edhe në mbrojtjen e cilësisë së ajrit dhe aspekteve të tjera të mjedisit.
Rekomandimi i pestë nënvizon që në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë të sigurohen fonde për eficencën e energjisë, përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si dhe promovimin e aktiviteteve të ekonomisë cirkulare, të cilat në të njëjtën kohë përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe ngadalësojnë efektet e ndryshimeve klimatike./monitor/


Sigal