Paqartësi dhe pasiguri për të ardhmen e Greqisë

434
Zyrtarët e lartë evropianë kanë shprehur zhgënjim nga veprimi i papritur i kryeministrit Tsipras për të shpallur një referendum për reformat. E ardhmja e Greqisë në Euro është bërë më e pasigurtë se kurrë dhe vendi ndodhet në mes të njërës nga krizat më të rënda financiare në botë prej shumë vitesh. Greqisë i mbeten më pak se 48 orë nga afati për t’i paguar 1.6 miliardë Euro Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe falimentimi rrit rrezikun për daljen e vendit nga Eurozona. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kritikoi ashpër qeverinë greke dhe u bëri thirrje grekëve të votojnë në favor të paketës së reformave që u hodh poshtë nga qeveria e tyre.
Zoti Juncker tha se ai ende vazhdon të besojë se dalja e Greqisë nga Eurozona nuk është një alternativë. “Por u kam thënë gjithmonë miqve të mij grekë, se kur thuhet që dalja nga Eurozona nuk është alternativë, ata nuk duhet të mendojnë se në fund të procesit, unë do të jem në gjendje të paraqes përgjigjen dhe zgjidhjen përfundimtare kundër gjithë të tjerëve”. Kancelarja gjermane, Angela Merkel la të kuptohej se nuk pritej ndonjë zhvillim me Greqinë në ditët në vazhdim por tha se është e gatshme të rifillojë bisedimet me qeverinë greke pas referendumit të 5 korrikut. “Evropa funksionon vetëm nëse është e hapur për kompromis. Kjo do të thotë se duhet të gjejmë kompromise kur përpiqemi të vendosim një balancë mes solidaritetit dhe përgjegjësisë personale. Por askush nuk mund të marrë 100 për qind të asaj që do”.
Por megjithë zhgënjimin e saj me shpalljen e referendumit, Kancelarja Merkel e cila ishte përpjekur të bindte kryeministrin Tsipras që të mos e shpallte atë, bëri thirrje për kompromis duke thënë se “nëse Euro dështon, Evropa dështon”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama dhe Presidenti francez, Francois Hollande diskutuan të hënën në një bisedë telefonike për krizën e borxhit grek dhe ranë dakord se është e rëndësishme që të formulohet një paketë reformash që Greqia t’i rikthehet rritjes së qëndrueshmërisë, tha sot Shtëpia e Bardhë. Më herët Presidenti francez Hollande tha më parë se kanë mbetur pak orë deri kur skadon afati për negociatat. “Uroj, që nëse grekët, qeveria e tyre marrin një vendim, që bisedimet të rifillojnë”.
Duke filluar nga e hëna, bankat në Athinë do të jenë të mbyllura për një javë dhe banorët nuk mund të tërheqin më shumë se 60 Euro në ditë nga bankomatet. Bankat nuk pritet të hapen për të paktën 6 ditë, deri pas pas një referendumi më 5 korrik për kushtet e reformave në këmbim të fondeve nga kreditorët ndërkombëtarë. Kryeministri Tsipras u ka bërë thirrje grekëve t’i thonë JO kushteve të kreditorëve. Duke reaguar ndaj gjendjes së krijuar, bursat evropiane pësuan një rënie të konsiderueshme sot. Aksionet në bankat kryesore në Spanjë, Francë dhe Gjermani ranë më shumë se 6 për qind. Ka pasur disa shenja të hershme paralajmëruese se problemet e Greqisë mund të kenë pasoja tek vende të tjera. Përqindja e interesit për huatë e vendeve të tjera të Eurozonës me borxhe të thella si Italia dhe Portugalia u rritën lehtë. Rreziku për pasojat në banka të tjera në periferi të Eurozonës, ka ngjallur ankth tek investitorët.
Sigal