Papa kundër Francës për bllokimin e emigrantëve

421
Papa Françesku ka ndërhyrë në debatin e hapur mes Italisë dhe Francës në lidhje me krizën e emigrantëve, duke kritikuar qendrimin e kësaj të fundit për të mos i lejuar disa qindra refugjatë afrikanë të kalojnë në territorin francez, duke i lënë në mëshirë të fatit prej gati një jave.
Apeli i Papës vjen në një periudhë të vështirë për Europën, ku shtetet anëtare nuk janë të gjitha dakord për sistemin e kuotave të shpërndarjes, propozuar nga Komisioni Europian.
“Ju ftoj të kërkoni falje për personat dhe institucionet që u mbyllin dyerve këtyre njerëzve që kërkojnë një familje dhe mbrojtje”.
Franca dhe Austria kanë rritur pikat e kontrollit në kufirin me Italinë, ndërsa Britania, Hungaria dhe Danimarka janë vetëpërjashtuar nga sistemi i kuotave, ndërkohë që Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, edhe pse vetë përballet me një fluks masiv emigrantësh nga Lindja e Mesme.
Një ditë më parë, edhe raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e emigrantëve, Fransua Krepo, tha se do të ishte e pamundur mbyllja e kufijve ndërkombëtarë, një lëvizje që sipas tij vetëm sa do të fuqizonte trafikantët e qenieve njerëzore.
Sigal