Papa Francesku vijon vizitën në Meksiko City

511
Pasi drejtoi meshën masive përpara mijëra besimtarëve në qytetin meksikan të Ekapatek, Papa Francesku është rikthyer në Meksiko City, për të parë nga afër një spital pediatrie në kryeqytet, ku falenderoi në mënyrë të veçantë stafin mjekësor për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në trajtimin e pacientëve të vegjël.
Pas një udhëtimi të shkurtër me helikopter, Papa u rikthye me makinën e tij ku u mirëprit rrugës nga qindra besimtarë, që e përshëndesnin në rrugë nga bulevardi ikonë e Meksiko City, “Refiorma” për t’i uruar mirëseardhjen Atit të Shenjtë.
Gjatë vizitës së tij në spitalin e fëmijëve, Ati i Shenjtë u shoqërua nga zonja e parë e Meksikës, ish aktorja Angelica Rivera, e cila e prezantoi përzemërsisht papa Franceskun me 25 fëmijë të vegjël por të sëmurë, që mezi e pritën vizitën e tij.
Pasi u takua me stafin e spitalit, Papa Francesku iu drejtua atyre me një falenderim special.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj, për punën tuaj që çdokush këtu, cdo pacient, të shërohet sa më shpejt. Është shumë e rëndësishme që ju kujdeseni për ta dhe ata jua kthejnë me dashuri. Të gjithë këtyre njerzve iu them, faleminderit” tha ai.
Ky spital pediatrik në Meksiko City është një nga më të mëdhenjtë në vend që merret edhe me rastet më të rënda të sëmundjeve tumorale, keqformimit gjenetik dhe crregullimeve neurologjike.
Ati i Shenjtë, pasi u prek gjatë vizitës së tij, tha se dashuria dhe ngrohtësia është thelbësore për cdo trajtim.
“Për të gjithë ata njerëz që i bëjnë të tjerët të ndihen mirë, jo vetëm me ilace por edhe me terapi dashurie dhe afeksione, faleminderit që falni dashuri. Përkujdesja terapeutike është shumë e rëndësishme. Ndonjëherë thjesht kujdesi të bën të ndihesh shumë më mirë” tha ai.
Pas udhëtimit në Mexico City, Ati i Shenjtë udhëtoi sërish, këtë herë në shtetin e Chiapas, ku edhe do të mbajë një tjetër meshë masive për komunitetet indigjene. Chiapas është një nga shtetet më të varfëra në Meksikë, shtëpi e rebelëve Zapatista dhe vendlindje historike e civilizimit antik të majave. Popullsia në Chiapas është në shumicë islame. Ndaj në këtë vend duket sikur takohen dy botë, një sekt idealist musliman dhe të krishterët, që e presin me dashuri Atin e Shenjtë, liderin e miliona besimtarëve katolikë në botë.
Një banor i Chiapas, Ibrahim Chechev mirëpret mesazhet e Papa Franceskut për paqe në këtë shtet.
“Ai vjen me një qëllim, për të rivendosur paqen, për të dhënë mesazhe të qarta të paqes dhe dashurisë. Ky është përfitimi i vetëm për ne sepse kurrë nuk kemi patur paqe për një kohë të gjatë. Ndaj e respektojmë vizitën e tij, prezencën e tij këtu” tha ai.
Një tjetër banor, i besimit musliman, Mustafa tregon se besimi ja bëri jetën edhe më të mirë.
“Eksperienca ime me islamin e ndryshoi në mënyrë radikale jetën time. Unë kam ardhur në jetë nga dy prindër katolikë dhe vendosa të konvertohem në musliman. Megjithatë do t’i mirëpres me dashuri mesazhet e Papës” tha ai.
Papa Francesku do të qëndrojë në Meksikë për 5 ditë, duke e nisur me një shëtitje në makinën e tij personale, mes një turme gjigande adhuruesish ndërsa përpara foltores së Shën Mërisë, ai përcolli disa mesazhe për politikanët e vendit dhe elitën kishtare.
Në ndalesën e tij disa ditore, të mbushur me simbolizëm, papa do të vizitojë disa prej lagjeve më të varfëra e më të dhunshme të Meksikës.
Shpresat e popullsisë katolike të Meksikës, e dyta më e madhe në botë, janë që mesazhi i tij i paqes të jehojë fort anekënd vendit të rrënuar nga droga e përtej tij.
Sigal