Palestinë, Izraeli plagos 49 palestinezë në kufirin e Gazës

109

Të paktën 49 palestinezë janë plagosur si pasojë e intervenimit të ushtarëve izraelitë ndaj protestave paqësore të “Marshit të Kthimit të Madh” në Rripin e Gazës nën bllokim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë thuhet se në intervenimin e ushtarëve izraelitë ndaj protestuesve janë plagosur 49 palestinezë prej të cilëve 21 me plumba të vërtetë.

Gjithashtu në deklaratë u bë e ditur se nga të plagosurit, 22 janë fëmijë.

Që nga 30 marsi i vitit të kaluar, palestinezët në kufirin e Rripit të Gazës organizojnë protesta paqësore me moton “Marshi i Kthimit të Madh”, me anë të të cilave kërkojnë kthimin në territoret nga ku u dëbuan, si dhe heqjen e bllokadës së Gazës të imponuar në vitin 2006.

Sipas deklaratës së Qendrës për të Drejtat e Njeriut, Al-Mizan, mbi 320 palestinezë janë martirizuar, ndërsa rreth 18.500 të tjerë janë plagosur në ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë ndaj protestave të “Marshit të Kthimit të Madh”.