Pa marrëveshje në Bruksel, Mogerini lavdëron liderët

567
Shefja e diplomacisë europiane, Federika Mogerini, e vlerësoi takimin e nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, që përfundoi pak para mesnate në Bruksel.
Zonja Mogerini, e cila në fillim i priti vec e vec Hashim Thacin dhe Isa Mustafën dhe më pas Tomisllav Nikoliç dhe Aleksander Vuçiç, i bëri ata bashkë në një darkë punë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. 
Përfaqesuesja e lartë e Bashkimit Europian tha se është e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. “Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, tha Mogherini. 
Sipas saj, dialogu Prishtinë-Beograd është i rëndësishëm edhe për rajonin edhe për Bashkimin Evropian. “Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është kyç për të dyja palët per paqen dhe ecjen drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ajo. 
Liderët kosovarë dhe ata serbë, ndryshe nga takimi i 24 janarit, nuk komentuan pas takimit në Bruksel. Bisedimet e së mërkurës u përqëndruan tek çështja e drejtësisë në veri, energjetika dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, në prill të vitit 2013. Ekipet teknike janë takuar pothuajse rregullisht për mënyrat e zbatimit të saj, por shumë nga çështjet e dakordesuar kanë mbetur vetëm në letër. 
Incidentet dhe ngjarjet e këtij janari, me trenin dhe murin në Mitrovicë, i shtuan tensionet. Normalizimi i raporteve mes dy vendeve është kusht për rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.
Sigal