Orë presioni për Greqinë, BE-Tsiprasit: S’ka më lojëra, shmang falimentimin e shtetit

516
Vazhdojnë orët e presionit për kryeministrin grek, Aleksis Tsipras, prej të cilit kërkohet që të bëjë sa më shumë lëshime në bisedimet me skuadrat teknike të negociatorëve për të përfituar një marrëveshje të re që do të shmangte falimentimin e shtetit.
Pas takimit të një nate më parë me kancelaren gjermane, Merkel, dhe presidentin francez, Holond, Tsipras u përball gjatë ditës me presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker dhe atë të Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili përsëriti komentet e disa ditëve më parë të Merkel se koha po mbaron.
Tusk:”Qeveria greke duhet të tregohet pak më shumë realiste, nuk ka më shumë hapësira për lojëra fati tanimë, nuk ka më kohë për kumar. Kam frikë se po afron dita kur dikush do t’u thotë se loja mbaroi!”
Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen sërish më 18 qershor për të diskutuar programin e reformave që duhet të ndërmarrë Greqia, e cila duhet të paguajë 1.6 miliardë euro në fund të muajit, si këste ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Diferencat më të mëdha mes palëve janë mbi reformat fiskale dhe financiare, pasi vendit i kërkohet që të rregullojë shifrat në mënyrë që të ketë sufiçit buxhetor prej 1% pas shlyerjes së detyrimeve, objektiv ky që nuk pranohet nga Greqia, siç edhe konfirmoi ministri i Financave, Janis Varufakis, gjatë fjalës së tij në parlament të enjten.
Ndërkohë, në mëngjes mbështetës të Partisë Komuniste greke dhe Sindikatat e Punës pushtuan Ministrinë e Financave në Athinë, duke bllokuar edhe stafin në hyrje të insitucionit.
Ata i tremben një marrëveshje mes palëve e cila do të rëndonte edhe me tej në popullin grek.
Qytetarët e lodhur nga 6 vite krizë, thonë se nuk do të duronin më masa të tjera kursimi.
Sigal