Ora më e errët/ Kur Winston Churchilli shpëtoi botën mbarë

493
Filmi i ri “Darkest hour” ofron anën diplomatike të një tjetër filmi aksion të kohëve të fundit, “Dunkirk”. Kështu shkruan historiani amerikan, Victor Davis Hanson, në lidhje me filmin më të fundit që i kushtohet Kryeministrit britanik, Winston Churchill, gjatë pushtimit të Francës prej nazistëve, në maj 1940.
Filmi ndjek Churchillin, rol që e luan Gary Oldman, në fillimet e Luftës së Dytë Botërore.

“Paraardhësi i Churchillit, shëndetligu Neville Chamberlain kishte humbur besimin e popullit anglez dhe qeverisë britanike. Qasja e tij e zbutjes kundrejt Adolf Hitlerit dhe nëntë muajt e parë katastrofikë të Luftës së Dytë Botërore, dukej se pothuaj e kishin dënuar Britaninë e Madhe me disfatë. Churchillit iu kërkua të bëhet Kryeministër, pikërisht në ditën kur Hitleri pushtoi Francën, Belgjikën dhe Holandën.
Ushtritë e të tre demokracive – të tria së bashku, më të mëdha se forcat e armatosura të Gjermanisë – u gjunjëzuan brenda pak ditësh apo javësh. Problemi madhor i Churchillit nuk ishte të shpëtonte vetëm ushtrinë britanike, por të përballej me realitetin që, me pushtimin gjerman të Evropës, perandoria britanike nuk do të kishte më aleatë.
SHBA ishin të vendosura me çdo kusht që të mbeteshin neutralë. Brenda pak ditësh pasi Churchilli mori detyrën, gjithë ai që sot është Bashkimi Evropian, do të kish qenë në duart e Hitlerit. Ora më e errët e merr titullin nga depresioni që ishte përhapur në të gjithë qeverinë britanike.
Chamberlain dhe politikani konservator, Edward Wood e konsideronin Churchillin të çmendur, për faktin që kish besuar se Britania e Madhe mund të mbijetonte. “Darkest Hour” zhvillohet pothuaj ekskluzivisht në mjedise të mbyllura në seancat e Parlamentit, takime private dhe skena mes Churchillit dhe bashkëshortes së tij brilante, Clementine. Por dialogu është imponues, aktrimi i shkëlqyer. Interpretimi madhështor që Gary Oldman i ka bërë Churchillit duhet të jetë fitues Oscar-i. Oldman u kujton brezit të të rinjve që i ka zënë një amnezi globale se pothuaj 80 vjet më parë, sfida kokëfortë e një anglezi viktorian 66-vjeçar shpëtoi qytetërimin perëndimor nga barbaria naziste. Amerikanët duhet ta shohin “Darkest Hour” për arsye që shkojnë përtej interpretimit dhe dramës. Me të drejtë mendojmë se industria amerikane dhe krahu i punës sovjetik fituan Luftën e Dytë Botërore. E megjithatë shumë shpesh, amerikanët harrojnë ingredientin e tretë themelor: udhëheqësin britanik, kurajon e tij dhe profesionalitetin ushtarak”.
Sigal