Opozita maqedonase proteston sot kundër Gruevskit, blindohet Shkupi

526
Sot ne orën 14:00 opozita maqedonase do te zhvillojë protestën me qytetarët, për largimin e qeverisjes së kryeministrit Nikola Gruevski.
Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase, shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme, por edhe eurodeputetë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë të paralajmëruar para disa ditësh.
Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës Zoran Zaev ka theksuar se nuk do tërhiqet nga protestat dhe do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.
Tubimi i drejtuar nga opozita vjen pak ditë pas sulmit në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 22 persona, 8 policë dhe 14 anëtarë të një grupi të armatosur.
Por protesta ka në fokus përgjimet që kanë nxjerrë në dritë skandale të paprecedenta të qeverisë Gruevski.
Në përgjime anëtarë të qeverisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë edhe vetë kryeministrin, flasin për afera korruptive, fshehje krimesh dhe urrjejtje ndaj shqiptarëve.
Media të shumta ndërkombëtare, mes tyre CNN apo BBC janë akredituar për ta ndjekur tubimin live sipas mediave maqedonase.
Sigal