Opozita e Kosovës: Protestat nuk ndalen deri në largimin e qeverisë

481
Tre liderët opozitarë janë zotuar se nuk do të ndalin protestat deri në rrëzimin e qeverisë. Liderët e partive opozitare, ai i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës Për Kosovën kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media një ditë para protestës së thirrur nga opozita për rrëzimin e qeverisë Mustafa-Thaçi.
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së tha se opozita e bashkuar ka dalë para qytetarëve në vendin ku do të protestohet nesër, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës për anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
“I ftojmë qytetarët të dalin nesër me protestu për anulimin e marrëveshjeve dhe për të kërkuar dorëheqjen e atyre që kanë shkelur kushtetutën”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, i pari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se nesër është dite jashtëzakonisht e rëndësishme kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe kundër shkelësve që janë në krye të qeverisë ku sipas tij, qytetarët do të bëhen bashkë për të kërkuar sovranitetin e vendit dhe për demokracinë e vendit.
E kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që ti bashkohen protestës së nesërme dhe të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Qeverisë së Kosovës.
“Ftojmë qytetarët që nesër masivisht të jenë në ketë shesh për të protestuar dhe në mbrojtje të Kushtetutës. Nëse ata refuzojnë te japin llogari atëherë edhe ne duhet të kundërshtojmë të udhëheqemi nga shkelësit”, ka thënë Limaj në fjalën e tij.
“Do të vazhdojmë me protesta e demonstrata deri në dorëheqjen e qeverisë. Është mot me diell dhe presioni qytetar është më i rëndësishëm se çdo bindje qytetarë dhe kjo do të dëshmohet nesër”, është shprehur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sigal