Opozita e Kosovës do të protestojë më 17 shkurt

515
Liderët e partive opozitare kanë deklaruar se protesta e radhës pritet të mbahet më 17 shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës. Këtë e kanë bërë të ditur gjatë një konference me media, në qendër të Prishtinës.
Partitë opozitare janë duke protestuar kundër dy marrëveshjeve të arritura nga Qeveria e Kosovës, atë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për Demarkacionin me Malin e Zi.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, raporton Telegrafi, ka thënë se që nga 9 janari, Qeveria e Kosovës është dashur ta kuptojë një gjë.
“Qytetarët e Republikës nuk e kanë ndërmend as ta tolerojnë një qeveri që rrezikon rendin kushtetues për t’ia krijuar Serbisë hapësirën për ndërhyrje politike dhe territoriale në Kosovë e as ta tolerojnë faljen e tokave të Kosovës, një shteti të tretë, siç është rasti me Malin e Zi”, tha Ymeri.
“Kjo qeveri e ka një afat të vazhduar që deri më 17 shkurt të largohet nga këto marrëveshje dhe nga pushteti i uzurpuar, meqenëse aty po qëndron për t’ia mundësuar këto të këqija Kosovës dhe për ta shndërruar Kosovën, një vendi cili nuk është republikë sovrane dhe as një republikë e qytetarëve”, ka thënë Ymeri.
Sigal