Opozita dërgon Thaçin në shtëpi, Haradinaj në krye të Qeverisë

475
Sigal

Marrëveshja, “Vetëvendosja!”: Nuk do të ketë Qeveri “Thaçi” për të tretën herë

Opozita bashkon forcat dhe firmos një marrëveshje që përjashton Hashim Thaçin nga posti i Kryeministrit duke krijuar një shumicë të re pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në marrëveshje shkruhet se: “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA, janë bashkuar dhe kanë vendosur që vendit t’i japin një qeveri të kthimit të shpresës”. “Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,”,-shkruan Ramush Haradinaj në rrjetin social duke njoftuar marrëveshjen. Sipas marrëveshjes së firmosur nga krerët e tre partive, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Isa Mustafa dhe që mban datën e djeshme 10 qershor 2014, Ramush Haradinaj do të mbajë postin e kryeministrit, Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe Presidenti në harmoni me Kushtetutën. Ndërsa ”Nisma” e Fatmir Limajt do të ketë postin e zv/kryeministrit. Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe do të punojë me ngulm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.”

 Thaçi rrëzon Haradinajn: Qeverinë e re e krijon fituesi dhe fituesi jemi ne

Kosovë – Partia Demokratike e Kosovës deklaron se, është fituesja e zgjedhjeve dhe mandati për formimin e Qeverisë i takon asaj dhe vetëm asaj, në bazë të Kushtetutës.

PDK-ka hedhur kështu poshtë, shpresat e opozitës së bashkuar në Kosovë, që nënshkroi dje një marrëveshje trepalëshe për të marrë Qeverinë e Kosovës në kushtet kur PDK-së së

Hashim Thaçit i nevojitet një koalicion për të krijuar qeverinë

Në njoftimin e bërë në mbrëmje nga PDK-ja thuhet se kjo parti “vlerëson lart gjithë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përgëzon qytetarët dhe institucionet përgjegjëse për arritjen e standardeve më të larta demokratike”. “Mandati për formimin e Qeverisë buron nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët i dhanë Partisë Demokratike të Kosovës besimin për të vazhduar udhëheqjen e Qeverisë dhe për të zbatuar Misionin e Ri për Kosovën, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ne i bëjmë ftesë të gjithëve që të përmbahen nga tendenca për të shkelur verdiktin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët me votën e tyre sovrane kane shprehur qartë vullnetin e tyre politik dhe qytetar për katër vitet e ardhshme”,-thuhet në deklaratë.

 Hajredin Kuçi: Marrëveshja e opozitës, jokushtetuese!

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se, marrëveshja mes përfaqësuese të partive opozitare është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Në një konferencë për media ka kërkuar nga ta që ta lexojnë Kushtetutën e më pas të bëjnë marrëveshje. “Kjo është shkelje e Kushtetutës. Ata duhet ta lexojnë atë, nëse nuk e kanë lexuar deri tani”,- ka thënë Kuçi.

 Shpend Ahmeti: Vetëvendosja nuk negocion për poste

Pas publikimit të marrëveshjes së tre partive AAK, Nisma dhe LDK, kryetari i komunës së Prishtinës thotë se, Vetëvendosja nuk negocion për poste dhe është kundër pushteteve të padrejta. Megjithatë shton se, të paktën u dakordësua që nuk ka koalicion me PDK.

“E kam thënë shumë herë që arroganca në politikë kthehet shumë keq. Vetëvendosje nuk negocion për poste dhe është kundër pushteteve të padrejta. Për neve është me interes të ndalen proceset e dëmshme në Kosovë. Por, e para dhe kryesorja është që tashmë ka dakordim nga të gjitha partitë shqiptare që kanë hyrë në Kuvend se koalicion me PDK nuk ka”,- shkruan Ahmeti në rrjetin e tij social në “Facebook”.

 “Vetëvendosja!”: Nuk do të ketë Qeveri “Thaçi” për të tretën herë

Lëvizja “Vetëvendosje!” do të bëjë të pamundurën që Kosova të mos ketë për të tretën herë, qeverinë e Hashim Thaçit. Kështu ka deklaruar sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Albin Kurti, kryetari i “Vetëvendosjes!” pas marrëveshjes së partive opozitare për të nxjerrë si Kryeministër Ramush Haradinajn.

Kurti theksoi se: “Vetëvendosja!” e konsideron “prioritet mbi prioritetet në Kosovë në këto momente, shkëputjen e qartë me regjimin dhe sundimin e Thaçit, si dhe çlirimi i shtetit të Kosovës nga kapja që ia ka bërë korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shitja e pasurive publike e natyrore si dhe varësia prej pazareve me Serbinë. “Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se prioritet mbi prioritete në Kosovë aktualisht është shkëputja e qartë me regjimin dhe sundimin e Thaçit, si dhe çlirimi i shtetit të Kosovës nga kapja që ia ka bërë korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, shitja e pasurive publike e natyrore si dhe varësia prej pazareve me Serbinë. Kjo është mënyra e vetme se si mund ta krijojmë një mjedis demokratik në vend, i cili do ta vendoste Kosovën në binarë të progresit. As negociatat me Serbinë e as privatizimi i egër i ndërmarrjeve publike nuk i kanë ndihmuar as shtetndërtimit e integritetit institucional dhe territorial të vendit, e as zhvillimit ekonomik e rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Është e domosdoshme që në Kosovë ta kemi një ndryshim të theksuar të kursit dhe politikave prej atyre që i kemi parë në zbatim deri më tash. Qeveria e ardhshme, si Qeveri e emergjencës, duhet t’i pezullojë bisedimet me Serbinë dhe implementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe privatizimet në KEK, PTK e Trepçë”,-tha z. Kurti.

Ban Ki-Moon përshëndet mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon e ka mirëpritur zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të ruajnë përkushtimin për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjithëve që jetojnë në Kosovë. Në një deklaratë të OKB-së thuhet se, Sekretari i Përgjithshëm është i inkurajuar nga raportet paraprake pozitive nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe të Misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut për mbarëvajtje të qetë dhe të rregullt të zgjedhjeve të 8 qershorit dhe pjesëmarrjen e gjerë publike në tërë Kosovën. “Ai lavdëron autoritetet dhe popullsinë për këtë arritje të Kosovës”,- thuhet më tej në deklaratë, bëri të ditur mbrë media e Kosovës. “Sekretari i Përgjithshëm pret një angazhim të përtërirë të nivelit të lartë nga Beogradi dhe Prishtina në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian pasi të jetë vendosur udhëheqja e re në Prishtinë. Kombet e Bashkuara dhe UNMIK-u do të vazhdojnë të mbështesin këtë angazhim të rëndësishëm”,- thuhej në deklaratën e dhënë dje në Kombet e Bashkuara në New York, rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.