OKB thirrje Turqisë që të hetojë të shtënat e forcave të sigurisë ndaj civilëve

477
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Zeid Rad Al Hussein, të hënën i bëri thirrje autoriteteve turke që të respektojnë të drejtat themelore të civilëve në operacionet e saj të sigurisë dhe për të hetuar menjëherë dyshimet për të shtëna ndaj një grupi njerëzish të paarmatosur në qytetin jug-lindor të Cizres, pasi një video me pamjet shokuese te ngjarjes dolën javën e kaluar në media.

Komisioneri i Lartë Zeid gjithashtu shprehu shqetësimin serioz për raportimet se kameramani, i cili u plagos edhe vetë, do përballet me arrestim kur ai të dalë nga spitali. “Videoja e regjistruar nga Refik Tekin në Cizre disa ditë më parë është jashtëzakonisht tronditëse,” tha shefi i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara.

“Aty shfaqet një grup civilësh të paarmatosur, të udhëhequr nga një burrë dhe një grua që mbajnë flamuj të bardhë. Ata shtyjnë një barelë ku ndodhet një i vdekur, nëpër një rrugë të mbikëqyrur në distancë nga një automjet i blinduar ushtarak. Teksa ata arrijnë në anën tjetër, përballen me një breshëri zjarri, dhe operatori Tekin vijon të filmojë ngjarjen e rëndë. Refik Tekin i plagosur nga të shtënat është raportuar të jetë në Spitalin Mardin ndërsa një oficer policie pret jashtë dhomës së tij ndërsa akuzohet se është anëtar i një organizate terroriste separatiste.
“Xhirimi i një krim nuk është një krim, por të shtënat ndaj civilë të paarmatosur me siguri është,” tha Komisioneri i Lartë Zeid. “Është thelbësore të ketë një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm u shpreh zyrtari i lartë i OKB-së. “Autoritetet duhet të marrin masat e duhura për të mbrojtur të drejtat e njeriut gjatë kryerjes së operacioneve ushtarake ose të sigurisë. Nëse operativët shtetërore kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut, ata duhet të ndiqen penalisht”, tha Komisioneri i Lartë.
Sigal