OKB firmos marrëveshjen për formimin e qeverisë së unitetit në Libi

406
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka miratuar marrëveshjen mes fraksioneve në Libi, për formimin e qeverisë së unitetit. Sipas perëndimit, marrëveshja e cila u miratua unanimisht më 23 dhjetor, do të sjellë stabilitet dhe do t’i ndihmojë luftës kundër militantëve të ISIS në Libi. Në këtë marrëveshje, e cila është hartuar nga Britania e Madhe bëhet e qartë se përfaqësues i vetëm i Libisë duhet të jetë qeveria e ardhshme. Marrëveshja kërkon gjithashtu që qeveria e unitetit kombëtar të formohet brenda 30 ditësh.

Sakaq, rezoluta e OKB-së iu kërkon vendeve që ta ndihmojnë Libinë për t’i luftuar militantët. Libia ka pasur administratë të dyfishtë që nga gushti i vitit 2014-të, kur një grup ekstremistësh islamikë pushtoi Tripolin, duke e detyruar qeverinë që të zhvendoset në lindje.
Sigal