Obama: Ne nuk jemi në luftë me Islamin, por me terrorizmin

452
Sigal

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë “në luftë” me Islamin, por me njerëzit që e shtrembërojnë atë. Duke folur në samitin tre-ditor, ku në Shtëpinë e Bardhë po diskutohet çështja e ekstremizimit, Obama tha se “ne nuk jemi në luftë me Islamin. Ne jemi në luftë me njerëzit që e kanë shtrembëruar Islamin”.

Disa zëra e kanë kritikuar Shtëpinë e Bardhë për ngatërrimin e ekstremizmit me Islamin pas sulmeve terroriste që kanë ngjarë në janar në Paris dhe tashmë së fundi në Kopenhagë. Obama ka shtuar se udhëheqësit fetarë të grupit të Shtetit Islamik, nuk janë “udhëheqës fetarë”, por janë “terroristë”.

“Ne nuk duhet t’ua japim terroristëve legjitimitetin fetar që ata kërkojnë. Ata nuk janë liderë fetarë, ata janë terroristë”, ka thënë Obama. Gjatë gjithë fjalimit të tij që e ka mbajtur para dhjetëra përfaqësuesve nga e gjithë bota në Uashington, në ditën e parë të samitit kundër ekstremizmit, Obama e ka bërë ndarjen e Shtetit Islamik nga Islami.

“Ne nuk jemi në luftë me Islamin. Ne jemi në luftë me njerëzit që po e keqpërdorin Islamin”, ka shtuar më tutje Obama. Presidenti amerikan e ka përshkruar Shtetin Islamik si një kërcënim për të gjithë botën, duke shtuar se ky grup radikal si dhe Al-Kaida janë “të dëshpëruar për të fituar legjitimitet”. Obama ka shtuar se “dhuna ndaj të pafajshmëve nuk e mbron Islamin dhe myslimanët, por ajo dëmton Islamin dhe myslimanët”.

“Natyrisht që terroristët nuk flasin për më shumë se një miliardë myslimanë, të cilët e refuzojnë ideologjinë e tyre urryese. Ata nuk e përfaqësojnë Islamin, sikurse çdo njeri tjetër që vret të pafajshëm në emër të Perëndisë, nuk e përfaqëson Krishterizmin, Hebraizmin, Budizmin apo Hinduizmin. Asnjë fe nuk është përgjegjëse për terrorizmin. Njerëzit janë përgjegjës për dhunën dhe terrorizmin”, ka thënë Obama.

Ish-presidenti amerikan, George W. Bush, ka përsëritur gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Islamin. Obama, ka bërë thirrje te komuniteti mysliman në Amerikë, që të bëjë më shumë për ta kundërshtuar atë që Obama e ka quajtur “ekstremizëm të dhunshëm”. Ai tha se udhëheqësit myslimanë duhet të bëjnë më shumë për ta diskredituar idenë se “vendet tona janë të përcaktuara që ta shtypin Islamin”.

 “Varfëria si e vetme nuk e çon një person drejt terrorizmit, më shumë se varfëria ka diçka tjetër që e drejton një person drejt terrorizmit. Ka miliarda njerëz që jetojnë në kulmin e varfërisë dhe janë të fokusuar për ta ndërtuar jetën e tyre ashtu siç munden dhe kurrë nuk përqafojnë ideologji apo dhunë. Në anën tjetër, ka terroristë të cilët e kanë një prejardhje jashtëzakonisht të pasur, si Osama bin Laden”, ka thënë presidenti amerikan.

Ai shtoi se myslimanët e rinjë, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj propagandës ekstremiste e cila sipas tij, mund t’i çojë ata drejt Shtetit Islamik në Siri, apo mund t’i bëjë ata që të kryejnë sulme brenda vendit. Gjatë javës së kaluar, zyrtarët amerikanë të zbulimit e kanë njoftuar Kongresin se rreth 150 amerikanë kanë bërë përpjekje për të shkuar në Siri, për të luftuar përkrah militantëve islamik.

Samiti i cili ka nisur të mërkurën në Uashington, ka mbledhur përfaqësuesit nga 60 vende të botës. Samiti po mbahet në kohën kur sulmet terroriste janë shtuar në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.