Obama mbajti fjalimin e fundit para amerikanëve

481
Presidenti amerikan Barak Obama mbajti fjalimin për gjendjen e vendit, i shtati dhe i fundit për të. Ai parashtroi vizionin e tij për vitin e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë dhe për të ardhmen e vendit.
Siç është tradita e përvitshme në Uashington, Presidenti Obama foli në një sallë të mbushur plot në Kapitol.
Presidenti dha vlerësimin e tij për gjendjen e vendit, ku ekonomia kombëtare po përparon, si dhe për gjendjen jashtë tij, ku SHBA vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore, në mbështetje të forcave që luftojnë kundër kryengritësve të Shtetit Islamik për kontrollin e disa pjesëve të Irakut dhe Sirisë.
“Amerika ka ka kaluar përmes ndryshimeve të mëdha edhe më parë – përmes luftërave dhe depresionit, vërshimit të emigrantëve, nëpër luftrat e punëtorëve për një marrëveshje të drejtë dhe lëvizjeve për të zgjeruar të drejtat civile”, tha Presidenti.
“Çdo herë, – tha ai, – ka pasur njerëz që na kanë thënë se duhet të kemi frikë nga e ardhmja, që kanë pretenduar se duhet ta frenojmë ndryshimin. Çdo herë, ne e kemi mposhtur këtë frikë”.
Presidenti tha se ai kurrë nuk ka qenë më optimist në lidhje me rrugën në të cilin ndodhet vendi, jo vetëm për vitin 2016, por vitet e ardhshme, shumë kohë pasi ai të jetë larguar nga detyra.
“Unë e filloj ditën me një informim për çështjet e zbulimit prandaj e di se koha në të cilën jetojmë është plot me rreziqe. Por kjo jo për shkak se është zvogëluar fuqia amerikane apo për shkak të kanosjes nga ndonjë superfuqi,” tha Presidenti Obama.
Në botën e sotme, tha ai, ne kërcënohemi më pak nga perandoritë e këqia dhe më shumë nga shtetet e dështuara. Lindja e Mesme po kalon nëpër një transformim që do të vazhdojë një brez të tërë, sepse rrënjët e konfliktit datojnë me mijëvjeçarë.
“Edhe pse ekonomia e saj po tkurret, Rusia po derdh burimet e saj për të mbështetur trazira në Ukrainë dhe në Siri – shtete që ajo i sheh se po i ikin nga orbita e saj. Sistemi ndërkombëtar që ne kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore tani po përpiqet me vështirësi të pajtohet me këtë realitet të ri. Varet nga ne për të ndihmuar që ky sistem të rindërtohet. Dhe kjo do të thotë se neve do të na duhet të caktojmë disa përparësi,” tha Presidenti Obama.
Përparësia numër një, tha ai, është të mbrojmë popullin amerikan dhe të shkatërrojmë rrjetet terroriste.
“Si Al Kaeda ashtu edhe ISIS-i përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për popullin tonë, sepse në botën e sotme, edhe një grusht terroristësh që nuk kanë kurrfarë vlerësimi për jetën njerëzore, duke përfshirë edhe njerëzit e tyre, mund të bëjë shumë dëme. Ata e përdorin internetin për të helmuar mendjet e individëve brenda vendit tonë; ata minojnë aleatët tanë,” tha Presidenti.
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë tani ekonominë më të qëndrueshme në botë:
“Amerika, – tha ai, – është shteti më i fuqishëm në botë. Pikë.”
“Ne jemi në periudhën më të gjatë në histori të krijimit të vendeve të reja të punës në sektorin privat. Janë krijuar më shumë se 14 milionë vende të reja pune; kjo është rritja më e fuqishme e vendeve të punës që nga vitet ’90; shkalla e papunësisë është shkurtuar përgjysmë. Industria jonë e automobilëve sapo pati vitin e saj më të mirë ndonjëherë.”
Prodhim industrial, tha Presidenti, ka krijuar rreth 900 mijë vende të reja pune në gjashtë vitet e fundit. Kjo, tha ai, është bërë duke shkurtuar defiçitet në pothuajse tre të katërtat. Kushdo që pretendon se ekonomia amerikane është në rënie, përhap fantazi, tha Presidenti.
“Gjatë shtatë viteve të fundit, qëllimi ynë ka qenë një ekonomi në rritje që funksionon më mirë për të gjithë. Ne kemi bërë përparim. Por ne duhet të bëjmë më shumë.”‘
Presidenti Obama bëri thirrje për përparime më të shpejta në shkencë dhe në zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Ai tha se SHBA mund të bëhet vendi që do të kurojë kancerin një herë e përgjithmonë:
“Vitin e kaluar, nënpresidenti Biden tha se me një përpjekje të re si ajo me të cilin u dërgua njeriu në Hënë, Amerika mund të kurojë kancerin. Sonte, unë po shpall një përpjekje të re kombëtare për ta bërë këtë. Për të gjithë njerëzit e dashur që kemi humbur, për familjen që ne ende mund ta shpëtojmë, le ta bëjmë Amerikën vendin që do të shërojë kancerin një herë e përgjithmonë,” tha Presidenti.
Në fjalimin e tij, Presidenti bëri thirrje për të hequr dorë nga dyshimet dhe qejfmbetjet midis partive politike. “Kjo, – tha ai, – është një ndër keqardhjet e mandatit tim si president.”
Pavarësisht nga grindjet politike që kemi pasur këto vitet e fundit, – tha Presidenti, – ka disa fusha ku amerikanët pajtohen gjerësisht me njëri-tjetrin.
Ai premtoi se do të përpiqet më shumë për ta mbyllur sa më tepër këtë hendek. Por këtë, – tha ai, – unë nuk mund ta bëj dot i vetëm.
Presidenti Obama vuri gjithashtu në shënjestër ata kandidatë në fushatën zgjedhore presidenciale të cilët kanë bërë komentet nënçmuese për myslimanët. Ai dënoi sulmet e fundit ndaj myslimanëve në objektet e kultit.
“Kur politikanët fyejnë myslimanët, kur shkatërrohet një xhami ose ngacmohet një fëmijë, kjo nuk na bën më të sigurt. Kjo na zvogëlon në sytë e botës, na e bën më të vështirë të arrijmë qëllimet tona,” tha Presidenti.
Në emër të republikanëve, fjalimit të zotit Obama iu përgjigj guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, e cila është përfolur si alternativë e mundshme për nënpresidente, nëse zgjedhjet i fiton një kandidat republikan.
Ajo akuzoi presidentin se veprimet e tij nuk përputhen me premtimet e tij të mëdha.
“Ndërsa ai hyn në vitin e tij të fundit në detyrë, – tha zonja Haley, -shumë amerikanë ende e ndjejnë shtrëngimin e një ekonomie që është tepër e dobët për të rritur nivelet e të ardhurave. Ne ndjejmë një borxh kombëtar dërrmues, një plan kujdesi shëndetësor që i ka bërë sigurimet e shëndetit më pak të përballueshme, në shumë prej qyteteve tona ndodhin trazira kaotike.”
“Për më tepër, – tha guvernatorja, – ne përballemi me kërcënimin më të rrezikshëm terrorist që ka parë vendi që prej 11 shtatorit dhe ky president ose nuk është i gatshëm ose është i paaftë për t’u marrë me të.”
Ajo tha se së shpejti, presidenca Obama do të marrë fund dhe Amerika do të ketë mundësinë për t’u kthyer në një drejtim të ri.
Sigal