Nuk ndalet Koreja e Veriut, teston raketën e tretë

494
Koreja e Veriut ka testuar një tjetër raketë balistike të rrezes së shkurtër, duke shënuar kështu testimin e tretë të suksesshëm në po aq javë.

Zyrtarët e ushtrisë së Koresë së Jugut bënë të ditur se radarët e tyre kishin mundur të dallojnë se raketa përshkoi afro 450 kilometra përpara se të binte në ujrat e Detit të Japonisë.

Nisur nga kjo lëvizje, ekspertët kanë deklaruar se Peniani ka bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin e raketave të cilat janë të afta të mbajnë edhe bomba bërthamore.

Prova e rradhës e koreano-veriorëve shkel edhe njëherë rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili ndonëse shpesh herë ka paralajmëruar për shtim të sanksioneve, ende nuk ka ndërmarrë një hap të tillë. Mbetet të shihet nëse përfaqësuesit do të thërrasin një mbledhje për këtë cështje.

Sjellja e Koresë së Veriut ka angazhuar fuqimisht Shtetet e Bashkuara. Në samitin e NATO-s si dhe në atë të G7, Presidenti Donald Trump kërkoi që aleatët të tregohen më të ashpër ndaj veprimeve agresive të Peniani.

Sipas tij, testimet e raketave balistike përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit. Gjithashtu, më herët, Trump nuk ka përjashtuar edhe ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme ushtarake të karakterit parandalues.
Sigal