Not nga pallati në pallat në Londër

345
Një pishinë 2,5 metra e thellë do të lidhë majat e dy kullave 10 katëshe në Londër. Pishina është pagëzuar si “Pishina e qiellit” dhe është përshkruar si pishina e parë në botë që do të ketë një fund transparent. Kjo do të lejojë notarët të notojnë mbi kalimtarët nga një lartësi prej 35 metrash.
Firma që ka fituar të drejtën për të zhvilluar këtë projekt ka bashkëpunuar dhe me kompaninë Apple për dizenjimin e dyqaneve të saj në të gjithë botën dhe pritet që ky projekt të jetë gjithashtu një sukses mjaft i madh. Pishina është pjesë e një projekti zhvillues luksoz që quhet Ambasada e Kopshteve në Nine Elms, pranë stacionit Battersea në Londër.
Pritet që ndërtimi i “pishinës së qiellit” të jetë përfunduar deri në verën e vitit 2019, por megjithatë ky koncept nuk vjen pa sfida pasi pishina do të ketë forca të ushtruara nga të dy ndërtesat ngjitur, të cilat janë ndërtuar në themele të ndara.
Sipas inxhinierit që ka projektuar dhe do të merret me realizimin e këtij koncepti kaq dinamik, duhet treguar kujdes në shumë momente gjatë ndërtimit të saj pasi përveç forcave shtytëse të ajrit që veprojnë mes dy ndërtesave do të jetë dhe forca e rëndesës së ujit dhe ajo e veprimit ndaj materialit mbështjellës të pishinës. Ky material nuk do të jetë qelq, por akrilik pasi lejon një transparencë shumë herë më të madhe të ujit duke krijuar një sipërfaqe uniforme.