Një tjetër shqiptar në Itali bën gjestin e madh

400
Sigal

Cosimo Ranieri, një mësues i respektuar në Taranto, tashmë në pension, ka treguar për edicionin lokal të La Gazzetta del Mezzogiorno se si një i ri shqiptar i ktheu 50 euro që ish-mësuesi i kishte humbur disa ditë më parë.

Profesori, siç e thërrasin në qytet 80-vjeçarin, i telefonoi vetë redaksisë për të treguar ngjarjen e për të shprehur mirënjohjen për të riun shqiptar. Sipas fjalëve të tij, ai shkoi në tregun e fruta perimeve për blerjen e zakonshme, por nuk ishte në formën më të mirë, për shkak të lajmit se vëllai ishte shtruar në spital i sëmurë.

Kishte bërë gati 50 euro për të paguar, por vuri re që nuk i kishte më në dorë. Pasi pyeti të pranishmit se mos i kishin parë, nuk e zgjati më por nxori një tjetër kartëmonedhë, pagoi e u largua.

Merakut për vëllain iu shtua edhe një përkeqësim i shëndetit të tij që e detyroi të qëndronte në shtrat dhe profesori nuk u duk për disa ditë.

Pas një jave doli dhe shkoi sërish në treg, kur i afrohet menjëherë i riu shqiptar, i cili punon me një nga familjet që shesin fruta. ‘Profesor, këto janë paratë tuaja’, i tha shqiptari, duke i lënë në dorë 50 euro e duke i treguar se e kishte pritur gjatë gjitha javës për t’ia dhënë paratë e gjetura.

‘U mallëngjeva për këtë gjest që i kthen besimin e shpresën edhe një plaku si unë’, tha Ranieri për gazetën.