Një plan i ri amerikan për Kosovën? Zyrtari amerikan: Spekulime, jam këtu për dialogun

540
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e shteteve të Ballkanit Perëndimor për integrime evropiane dhe relaksim të raporteve ndër-shtetërore. Kështu ka deklaruar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell. Këto komente, ai i bëri në Prishtinë, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Mithchell tha se kishte kënaqësinë që vizitën e tij të parë në postin që ka marrë ta realizojë në Kosovë, si një shtet mik i SHBA-së.
“Kosova ka shënuar së fundit edhe 10-vjetorin e shtetësisë së saj. Për këto vite, Kosova ka shënuar përparime të mëdha të cilat duhet të vazhdojnë”, theksoi Mitchell.
Ai ka inkurajuar presidentin dhe institucionet e Kosovës që ta vazhdojnë dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve, ndërkaq ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më shpejt edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet heqja e regjimit të vizave.
“Vetëm Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e vetë, ndërkohë që SHBA-ja ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar ta mbështesë Kosovën”, tha Mitchell.
Ai i ka përgënjeshtruar disa shkrime në media, kryesisht në ato nga Serbia, se po e fillon këtë turne diplomatike në Ballkan për të propozuar një plan të ri amerikan për Kosovën.
“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, për të folur për dialogun për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell.
Zyrtari amerikan tha se në Ballkan ka prani të ndikimi të Rusisë, i cili sipas tij, nuk është në favor të askujt.
“Kemi parë rritje të ndikimit rus në tërë Ballkanin dhe si një pjesë e tyre duke i minuar edhe institucionet demokratike. Kemi qenë të qartë edhe në diskutimet tona me përfaqësuesit rusë se nuk është as në interesin e tyre dhe as të popujve të Ballkanit ky ndikim”, theksoi Mitchell.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se institucionet po punojnë shumë në konsolidimin e shtetësisë, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe atë të brendshëm.
Ai falënderoi administratën e presidentit Donald Trump për vëmendjen që po i kushton Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, rreth perspektivës euro-atlantike të këtij rajoni.
Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë, Thaçi tha se Kosova mbetet e përkushtuar në arritjen e zgjidhjeve që nuk cenojnë integritetin e Kosovës.
Thaçi e ka siguruar zyrtarin amerikan edhe me zotimin e shprehur të shtetit të Kosovës për luftimin e terrorizmit.
Përderisa te tema më e përfolur këto vitet e fundit, ajo e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Thaçi tha se partitë në pushtet, por edhe ato në opozitë nuk kanë më asnjë arsye që ta zvarrisin ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hapet perspektiva e lëvizjes së lirë, pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Shpresoj që partnerët e koalicionit qeveritar të Republikës së Kosovës janë duke biseduar intensivisht me Listën Serbe dhe kjo çështje do të përmbyllet në ditët e ardhshme. Askush nuk e ka më asnjë arsye që të vonojë votimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, qofshin ato parti të shqiptarëve apo të komuniteteve. Është interes strategjik dhe interes shtetëror”, theksoi Thaçi.
Gjatë ditës, Mitchell do të takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues tjerë politikë dhe ata të shoqërisë civile.
Sipas një komunikate të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mitchell po viziton Kosovën që të arrijë përparim në dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, të ndikojë në forcimin e sundimit të ligjit, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të kapërcejë sfidat rajonale në interes të stabilitetit dhe të integrimit në Perëndim.
Turneu i Wess Mitchell në Ballkan do të zgjasë deri më 17 mars. Pas Prishtinës ai do të vizitojë edhe Shkupin, Beogradin, Athinën dhe Nikozinë
Sigal