Një person i vë flakën studios së filmave të animuar në Japoni, humbin jetën 27 persona

99

Autoritetet e Kiotos konfirmuan 27 vdekje si pasojë e zjarrvënies në një ndërtesë trekatëshe ku ndodhet studioja e famshme japoneze e filmave të animuar. I dyshuari është arrestuar nga policia.

Numri i të vdekurve po rritet nga ora në orë, ndërsa zjarrfikësit kërkuan për të mbijetuar në ndërtesën e djegur dhe gjetën njerëz pa shenja jete.

Një burrë 41-vjeçar thuhet se ka derdhur një lëng të ndezshëm brenda Selisë së Studios së Animuar të Kiotos, para se t’i vinte flakën.

I dyshuari u plagos gjithashtu në këtë incident dhe u dërgua në spital, por nuk u dhanë hollësi rreth identitetit të tij.

Disa dëshmitarë e dëgjuan të dyshuarin duke bërtitur: Vdisni!

Incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të kohës lokale (ora 1:30 GMT). Videot dhe fotografitë e incidentit tregojnë një re të trashë tymi të bardhë që dilte nga ndërtesa.

Mbi 30 mjete zjarrfikëse vajtën në vendin e ngjarjes duke bërë ë mundur shuarjen e zjarrit para se flakët të përhapeshin në ndërtesat e afërta. Studioja u themelua në vitin 1981 dhe është bërë një emër familjar për tifozët e filmave të animuar.