“Një mesazh për Turqinë”, ISIS bën thirje për të marrë Stambollin

494
Grupi Shteti Islamik publikoi një video ku i bën thirrje popullit turk të rebelohet e të ngrihet në luftë kundër regjimit të Presidentit Tajip Erdogan, që ai e quan të pabesë dhe tradhtar. Sipas një lajmi të njoftuar sot nga faqja e shërbimit monitorues SITE, grupi bën thirrje gjithashtu që populli turk të ndihmojë për marrjen e Stambollit.
Sipas shërbimit SITE, videoja me titull “Një mesazh për Turqinë” u publikua nga e ashtuquajtura zyrë e mediave shtetërore në Raqqa, që i referohet kryeqytetit të grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore.
Duke folur në turqisht, një militant i Shtetit Islamik akuzoi Presidentin Erdogan se ia ka shitur vendin të krishterëve dhe partisë ateiste të Punëtorëve të Kurdistanit dhe se ka lejuar që bazat turke të përdoren nga të krishterët dhe nga SHBA thjesht për të ruajtur pozitën e vet.
“Popull turk, ju duhet që, pa humbur kohë të rebeloheni kundër këtyre ateistëve, të krishterëve dhe të pafeve, të cilët ju kanë bërë skllevër, ju kanë bërë të luftoni përkrah tyre,” thotë militanti në video.
“Të gjithë bashkë dhe nën urdhrat e Abu Bakr al Bagdadit, i cili vjen nga paraardhësit e Profetit tonë … le të pushtojmë Stambollin, që tradhtari Erdogan punon ditë e natë për t’ua dorëzuar të krishterëve,” thotë militanti.
Thirrja e tij vjen dy muaj pasi Shteti Islamik filloi publikimin e një reviste në turqisht, ku vendin kryesor e zinte një shkrim me titull “Pushtimi i Kostandinopojës”, në të cilin bëhej thirrje për një pushtim të ri islamik të qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit.
Turqia ra dakord muajin e kaluar për të vënë bazat e saj të rëndësishme strategjike në dispozicion të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, një ndryshim i rëndësishëm politik pas shumë vitesh ngurrimi për të luajtur një rol frontal kundër luftëtarëve islamikë që ushtrojnë trysni në kufijtë e saj.
Turqia ka ndërmarrë edhe tre sulme ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik brenda Sirisë dhe ka ndaluar mijëra njerëz në një operacion që kryeministri Ahmet Davutoglu e ka quajtur “përpjekje të sinkronizuar kundër terrorizmit”.
Megjithatë, pjesa më e madhe e sulmeve deri tani kanë patur në shënjestër militantët kurdë.
Në fillim të kësaj jave, SHBA kryen sulmet e tyre të para ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik nga baza turke Inçirlik, ndërsa zyrtarët thanë se pasi dislokimi i forcave të koalicionit të ketë përfunduar, sulmet do të intensifikohen./VOA/ 
Sigal