Një ishull i ri në Paqësor, mban çelësat për të gjetur jetë në Mars

724
Sigal

Ishulli më i ri që ekziston në tokë është formuar nga llava vullkanike, në një zonë të largët të Paqësorit dhe ka një moshë prej tri vitesh. Mund t’u tregojë shkencëtarëve të dhëna për të gjetur gjurmë jete në Mars, – u shpreh këtë të mërkurë Nasa. Ishulli i Hunga Tonga Hunga Ha’apai ka lindur 65 km në verilindje të kryeqytetit të Tongës, Nukualofa, nga fundi i 2014.

Në fillim shkencëtarët prisnin që ishulli i krijuar nga materiali vullkanik të fshihej nga deti brenda pak muajsh. Nasa thotë se ishulli është më rezistent sesa besohej, sepse ndoshta përzierja mes hirit dhe ujit të ftohtë kanë formuar një substancë të ngjashme me çimenton që njihet me emrin toba. Edhe pse në fillim, ishulli me përmasa 1 km me 2 dhe me një lartësi prej 100 metrash pësoi një erozion, por sipas parashikimeve mund të zgjasë 6-30 vite. Jim Garvin, shefi i qendrës Goddard të fluturimeve hapsinore të Nasës thotë se ishulli ofron një mundësi jo të zakonshme për të studiuar ciklet e jetës në një hapsirë të sapokrijuar.

Ai thotë se mjedisi i Marsit është i ngjashëm me atë të ishullit vullkanik të sapodalë nga oqeani. Vazhdimësia sesi jeta do të lindë në këtë ishull mund të ndihmojë shkencëtarët të identifikojnë vende, ku të kërkojnë prova të jetës në Mars, – tha eksperti. – Kjo është ajo që po përpiqemi të kuptojmë sepse mund të ketë prodhuar kushte të nevojshme për jetën mikrobiale, – përfundoi ai.