Nis shfuqizimi i ‘Obamacare’ – Republikanët prezantojnë planin për kujdesin shëndetësor

461
Ashtu sikurse kishte premtuar edhe gjatë fushatës, Presidenti Trump ka nisur përpjekjet konkrete për shfuqizimin e Obamacare, ligjit për kujdesin shëndetësor, të miratuar gjatë administratës së paraardhësit të tij, Barak Obama. Republikanët e Kongresit kanë hartuar planin zëvendues të platformës aktuale, e cila do të diskutohet shumë shpejt për të kaluar më pas në proçesin e votimit. Legjislacioni i prezantuar së fundmi është kritikuar nga demokratët, të cilët shprehen se me këtë platformë, 30 milionë qytetarë do të humbasin kudjesin shëndetësor.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan kanë paraqitur planin e shumë-pritur për të shfuqizuar ligjin për kujdesin shëndetësor të miratuar gjatë administratës së Presidentit Barak Obama, i cili njihet si Obamacare.

Legjislacioni i propozuar parashikon një sërë ndryshimesh thelbësore, i cili është kritikuar menjëherë nga demokratët.

Këta të fundit janë shprehur se shfuqizimi i Obamacare do të bëjë që më shumë se 30 milionë qytetarë amerikanë të humbasin kujdesin shëndetësor.

Ata shtojnë se ndryshimet e legjislacionit aktual do të favorizojnë gjithashtu rritjen e çmimit të medikamenteve.

Megjithatë, nuk janë të të njëjtit mendim republikanët. Sipas tyre, Obamacare ka qenë një projekt i gabuar dhe se ka nevojë të shfuqizohet menjëherë.

Ndryshimet që do të vijnë nga projekti i konservatorëve amerikanë pritet të reduktojnë ndjeshëm rolin e qeverisë në sigurimet shoqërore.

Aktualisht republikanët kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit Amerikan, gjë që mund të lehtësojë votimin.

Megjithatë, mes tyre ka një sërë qëndrimesh të ndryshme sa i përket pikave që duhet të tjetërsohen nga plani aktual, Obamacare.

Pavarësisht, mosmarrëveshjeve për çështje të caktuara, ekspertët shprehen se ndryshimet në legjislacion do të bëhen të mundura.

Obamacare, një prej platformave më të mëdha që ndërmori ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, bëri që 20 milionë persona më shumë të kishin akses në sigurimet shëndetësore.

Ky numër, natyrisht që pritet të reduktohet me ndryshimin e politikave nga administrata e Presidentit aktual, Donald Trump.
Sigal