Nis lufta ndaj evazionit fiskal në Greqi

450
Ndërkohë që negociatorët grekë po bisedojnë me përfaqësuesit e kreditorëve për një program shpëtimi për Greqinë, inspektorët tatimorë kanë zbritur në terren për të plotësuar një prej zotimeve më të rëndësishme të qeverisë helene, eliminimin e evazionit fiskal.
Në këtë aksion janë të gjithë në shënjestër: nga hotelet me pesë yje, deri te tavernat modeste dhe fastfudet që tregtojnë sufllaqet e famshme greke të cilat, refuzojnë shpesh t’u japin klientëve kuponin tatimor, sidomos pas vendimit të qeverisë Tsipras për të rritur në 23% TVSH-në dhe shfuqizimin e uljeve për ishujt turistikë.
Zëvendësministri i financave, Trifon Aleksiadis, zbulon planin veror të qeverisë për të kapur dhe ndëshkuar abuzuesit.
“Do të realizojmë kontrolle në të gjithë Greqinë, në të gjithë zonat turistike. Do ta nisim me destinacionet e shtrenjta turistike, hotelet luksoze, dhe do të shkojmë edhe në tavernat më të vogla. Nuk do të na shpëtojë asnjë pa kontrolluar në këtë sezon”
Vala e parë e kontrolleve, zhvilluar fundjavën e kaluar, ishte vërtet shqetësuese: një në katër biznese kryenin evazion fiskal.
Por vetë autoritetet shtetërore janë të vetëdijshëm që është e pamundur të realizojnë kontrollin tërësor që pretendojnë. Për shkak të krizës dhe imponimeve nga ana e kreditorëve, administrata është shkurtuar ndjeshëm dhe punonjësit tatimorë që duhet të inspektojnë në terren janë të paktë.
Ndërsa, që prej largimit nga detyra të ish-ministrit të financave, Janis Varufakis, ideja e guximshme që kontrollin e evazionit fiskal do të bënin vetë turistët, duket se është hedhur në kosh.
Sidoqoftë, paratë që siguron shteti nga ishujt turistikë janë një burim i konsiderueshëm të ardhurash, pasi kjo industri përbën 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Greqisë, një shumë që nuk mund të lihet pa u vendosur në arkat e shtetit.
Sigal