Ngrirja e bisedimeve Turqi-Be, Erdogan kërcënon: Do hap kufinjtë që emigrantët e paligjshëm të vijnë tek ju

426
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kërcënoi ditën e sotme se do të hapë kufinjtë e Turqisë në mënyrë që emigrantët e paligjshëm të futen në Europë. Ky kërcënim erdhi një ditë pasi Parlamenti Europian votoi për të ngrirë bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Sigal

“Dëgjoni këtu. Nëse vazhdoni kështu, atëherë do të hap kufinjtë, nguliteni mirë në tru,” tha Erdogan kundrejt BE-së gjatë një fjalimi në Stamboll.

Më 18 mars të këtij viti, Ankaraja dhe Brukseli nënshkruan një marrëveshje që Turqia të ndalonte rrjedhën e emigrantëve drejt Europës – një akord që rezultoi i suksesshëm në reduktimin e numrit të emigrantëve që kalonin detin Egje. Turqia ra dakord për të rritur kontrollet kufitare detare e tokësore në këmbim të rritjes së mundësive për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Por pas ngrirjes së negociatave, Ankaraja akuzon Brukselin se nuk po mban fjalën e dhënë. Rreth 1 milion emigrantë nga vendet e varfëra dhe refugjatët që duan t’i largohen luftës, kanë kaluar në Europë që prej vitit 2015, duke rritur frikën e një krize sociale në BE dhe forcimin e partive nacionaliste të krahut të djathtë.