Netanyahu: Marrëveshja me Iranin shton rrezikun e fillimit të një lufte

64
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka folur me presidentin e SHBA-së, Barak Obama në lidhje me marrëveshjen e arritur të natës së kaluar në qytetin zviceran të Lozanës, pas negociatave disa ditëshe mbi programin bërthamor iranian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e qeverisë izraelite theksohet se Netanyahu ka kundërshtuar marrëveshjen kornizë të arritur mes Teheranit dhe grupit P5+1, e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Gjermania.
“Marrëveshja kornizë e arritur gjatë negociatave për programin bërthamor nuk do të pengoj, por do t’i hap rrugë Iranit për të bërë bombë”, tha Netanyahu duke theksuar se situata e re në mënyrë të konsiderueshme do të rris rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore në rajon, por edhe shpërthimin e një lufte të tmerrshme.
Ai theksoi rritjen e presionit ndaj Iranit, si zgjidhje alternative derisa të arrihet një marrëveshje më e mirë. “Marrëveshja kornizë do të jetë kërcënim për të ardhmen e Izraelit. Vetëm dy ditë më parë, Irani ka thënë ‘nuk ka bisedime për shkatërrimin e Izraelit’. Pikërisht këto ditë, Irani gjithashtu ka intensifikuar aktivitetet e tij duke armatosur bashkëpunëtorët e tij terroristë për të sulmuar Izraelin. Kjo marrëveshje do të legjitimojë programin bërthamor të Iranit, do të forcojë ekonominë dhe do të rrisë dhunën dhe aktivitetet terroriste në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha Netanyahu.
Pas disa ditësh të negociatave të mbajtura në Zvicër, delegacioni i lartë i Iranit dhe grupi P5+1, mbrëmë arritën marrëveshje të përgjithshme mbi programin bërthamor iranian.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se marrëveshja kornizë me Iranin do të zbatohet në faza. “Parametrat e marrëveshjes do të zbatohen në faza, disa dispozita do të jetë në domenin e 10 viteve, disa dispozita në 15 vite, dhe disa deri 25 vite. Por disa masa me siguri do të gjejë vendin e tyre në të ardhmen dhe ato kurrë nuk do të përfundojnë”, tha Kerry. Ai shtoi se, nëse Irani nuk i përmbahet marrëveshjes, përsëri do të vendosen sanksionet ndërkombëtare.
Gjashtë fuqitë botërore kërkojnë nga Irani që të ngrijë aktivitetet bërthamore të paktën për dhjetë vjet, ashtu që ti hiqen sanksionet ekonomike.
Afati i fundit për arritjen e marrëveshjes ka skaduar në mesnatë më 31 mars, por përfaqësuesit e gjashtë fuqive botërore zgjatën afatin e negociatave. Afati i fundit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mbi programin bërthamor iranian është më 1 korrik.