Nesër votohet për tregtinë e lirë SHBA-BE, gjeneron 100 mld dollarë rritje ekonomike

431
Mbështetësit thonë se do të gjenerojë rreth 100 miliard dollarë si rritje ekonomike për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar vende të reja pune dhe përfitime nga të dy anët e Atlantikut.
Kundërshtarët, nga vendet e Bashkimit Europian, thonë se do të ulë standardet e punës dhe ushqimeve, si dhe do të privatizojë pjesërisht sistemin e drejtësisë.
Por pavarësisht protestave të shumta që lindin edhe nga paqartësitë dhe mungesa e informacionit nga skuadrat negociatore, më 10 qershor Parlamenti Europian pritet të votojë mbi mënyrën se si Komisioni Europian duhet të vazhdojë proçesin e arritjes së marrëveshjes për tregtinë e lirë me Shtetet e Bashkuara, ose Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime.
Edhe pse rezoluta që do të votohet nuk është detyruese, fakti që Bashkimit Europian i duhet miratimi përfundimtar i Parlamentit pas firmosjes së marrëveshjes, e bën seancën e të mërkurës të rëndësishme për qendrimin që do të mbajnë eurodeputetët në Strasburg.
Sektorët më të rëndësishëm europianë që pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje janë ato të prodhimit të verërave dhe djathrave, të cilët shpesh kanë për markë, emrin e fshatit francez apo zviceran ku prodhohen, duke shmangur në këtë mënyrë abuzimet me emrat, ndërsa lehtësimet doganore do të përmirësonin edhe sektorin e fruta-perimeve.
Sipas analistëve, Bashkimi Europian do ta ketë më të vështirë të konkurojë në sektorin e produkteve shtazore, për shkak të madhësisë së fermave amerikane dhe mënyrën e punës me të cilën ato operojnë.
Edhe pse marrëveshja përfundimtare nuk pritet të nënshruhet brenda vitit 2016, Parlamenti Europian duhet të shprehë qendrimin e tij, ndërsa Kongresi amerikan ka ende pak kohë për t’i akorduar më tepër liri veprimi presidentit Barak Obama në negociatat me liderët europianë.
Sigal