Nesër fillojnë negociatat për emrin e Maqedonisë në Bruksel

661
Ndërmjetësuesi i OKB-së në kontestin e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, të hënën dhe të martën në Bruksel do të takohet me përfaqësuesit në bisedime nga të dyja vendet, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.Takimi, siç është paralajmëruar nga Zyra e ndërmejtësuesit Nimicit, është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar të dyja palët në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen e emrit.
Raund i ri i bisedimeve vjen në periudhë të përmirësimit të klimës politike ndërmjet Shkupit dhe Athinës.Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev,vazhdimisht ka deklaruar se mundësitë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar janë më të mëdha se kurrë më parë. Ai së fundi për angjencinë greke të lajmeve ANA-MPA tha se duhet gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy palët.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË
“Ose të dyja palët do të jetë të kënaqura në mënyrë të barabartë, ose në mënyrë të barabartë do të jenë të pakënaqura. Por besoj se si politikanë, mund të fitojmë më shumë, nëse kemi guximtë gjejmë zgjidhje dhe të sjellim vendim, sesa ta zvarrisim, siç ishte rast në të kaluarën”.
Lidhur me spektrin e lëshimeve që është i gatshëm t’i bëjë, nëse pajtohet me ndryshimin e emrit të aeroportit, kryeministri i Maqedonisë thotë se “është e qartë se është më lehtë të ndryshohet emri i një aeroporti se emri i vendit”. Ndërsa kryeministri grek, Aleksis Cipras, dje nga Beogradi, pas takimtit me homologët nga Serbia, Bullgaria dhe Rumania, deklaroi se në vitin 2018, pret ndodhi pozitive në lidhje me kontenstin me Maqedoninë, nëqoftëse Shkupi vendos të bëjë hapa pozitiv.
ALEKSIS CIPRAS, KRYEMINISTËR I GREQISË
“Nëse ata tërhiqen nga retorika dhe deklaratat se ata janë pasardhësit e vetëm të Aleksandrit të Maqedonisë dhe nga pohimet e tyre irredentiste, atëherë ndoshta edhe do të mund të gjejmë ndonjë zgjidhje të përbashkët. Në rast të këtillë unë do të jem i pari që do të garantoj perspektivë europiane, mbrojtje dhe siguri në vendin fqinj”.
Paraprakisht, edhe shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias, deklaroi se pret që çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Koxias thotë se zgjidhja duhet të jetë kompromis për emrin që të hapet rruga e Maqedonisë drejt BE-së dhe organizatave të tjera në të cilat dëshiron të inkuadrohet, njofton Shenja.tv.
Optimizëm se kontesti përfundimisht mund të zgjidhet shfaqën edhe zëvendësndihmës sekretari shtetëror amerikan Hojt Ji dhe komisari evropian Johanes Han. Ji konsideron se çështja për emrin deri më tani është në nivel më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Han deklaroi se pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjendet zgjidhje politike me Greqinë për hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE.
Vullnet të mirë për zgjidhje tek të dyja palët sheh edhe ndërmjetësuesi Nimic, i cili në një deklaratë për agjencinë e lajmeve – IBNA, shfaqi edhe shpresë se do të tejkalohen edhe të a.q. linjat e kuqe të vendosura nga Athina dhe Shkupi. Mediat greke paralajmërojnë se është e mundur që Nimic në takimin në Bruksel të dalë edhe me propozim të ri për emrin.
Raundi i fundit formal i bisedimeve të ndërmjetësuesit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve u mbajt në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014. Kontesti për emrin midis Athinës dhe Shkupit zgjat që nga pavarësia e Republikë së Maqedonisë në vitin 1991.
Sigal