Neki Babamusta: Dhamë Besën që t’i shpëtonim jetën çdo hebreu!

1292
Në prill 2015 familja e Neki Babamustës zbuloi të njëjtën fotografi të Nekiut dalë në klasën e parë në shkollën fillore në Kavajë (1941-1942), që ai mbante si kujtim për 74 vjet, të njëjtën foto e kishte ruajtur edhe Gavra Mandil, në atë kohë ishte fëmijë hebre refugjat në Kavajë. Fotot u zbuluan rastësisht në Muzeumin e SHBA-së në Memorialin e Holokaustit në Washington DC duke kërkuar familjen hebre të strehuar në shtëpinë e prindërve të Nekiut, Beqir dhe Rabihane Babamusta dhe hebrejë që kanë qëndruar te Mehmet dhe Fitnete Babamusta. 
1. Foto origjinale e Neki Babamustës,ruajtur për 74 vjet, kopja dorëzuar Muzeumit Memorial të Holokasutit. Neki Babamusta, klasa e parë me mësuesen kujdestare Nusrete Berati, (1941-42), rrjeshti i dytë, i pari djathtas me bluzë të bardhë. Djali ulur para Nekiutështë djali hebre, Gavra Mandil. 
2. E njëjta foto origjinale ruajtur nga Gavra Mandil. Grupi i shokëve të klasës së Gavra Mandil dhe Neki Babamusta, tek shkolla fillore në Kavajë. Gavra ka numrin 30, ndërsa Nekiu ka numrin 21. 
Foto #08216, US Holocaust Memorial Museum Archives, Dorëzuar nga Gavra Mandil 
Burimi: http://digitalassets.ushmm.org/photoarchives/detail.aspx?id=1086542 
Nga kjo foto Neki Babamusta kujton mësuesen kujdestare Nusrete Berati, nxënësit e klasës Tahir Verdha, Xhevat Lika, Esheref Xhoi, Vjollca Berati, etj. 
“Gavra Mandil është djali i Mosa dhe Gabriela (Konfino) Mandil, lindur me 6 shtator 1936 në Beograd. Familja Mandil ishin burgosur në Prishtinë, (Kosovë, atëherë ish-Jugosllavi) për 10 muaj. Oficerat italianë të burgut transferuan të burgosurit me kamiona në Kavajë, ku dhe familja Mandil qëndroi deri në verën e vitit 1943. Gavra kishte një motër më të vogël Irena, që ishte dy vjet më e vogël. Pas kapitullimit të Italisë dhe me hyrjes e Gjermanisë në Shqipëri, familja Mandil lëvizi në Tiranë. Babai i Gavras u punësua te studio e fotografit Neshed Ismail; familja u strehua në Krujë nga nëntor 1943 deri në tetor 1944 ishte te shtëpia e Refik Veseli, që punonte te studio e fotografisë”. (Muzeumi Amerikan i Memorialit të Holokaustit).
3. Dokument historik, lista e emrave të hebrejve që erdhën me kamiona nga Prishtina në Kavajë 8 korrik 1942, Arshiva e Muzeumit Memorial të Holokaustit në Washington DC. 
Një fotografi e dytë, po aq e rrallë u zbulua në Arshivën e Muzeumit Memorial të Holokaustit ku tregon një fëmijë tjetër hebre, refugjat në Kavajë, me emrin Jasa Altarac, dalë me Merushe Babamusta, motra e Neki Babamustës dhe Fatime Babamusta, vajza e Mehmet dhe Fitnete Babamusta, të cilët kanë strehuar disa hebrej në shtëpinë e tyre në Kavajë gjatë luftës. Foto është e vitit 1942-19443, në klasën e tretë në shkollën fillore në Kavajë, Aleksandër Moisiu me mësuesin kujdestar Asllan Mesareja. 
4. Portret i grupit të nxënësve të shkollës fillore në Kavajë, dhuruar Jasa and Ester Franses Altarac.
US Holocaust Memorial Museum;
Photo # 59680
Në foto kanë dalë: Merushe Babamusta, rrjeshti i parë, e treta majtas (vajza e Rabihane & Beqir) & Fatime Babamusta, rrjeshti i parë, e katra majtas (vajza e Mehmet & Fitnete), dhe hebreu refugjat Jasa Altarac rrjeshti i parë, i dyti djathtas.
Burimi: http://digitalassets.ushmm.org/photoarchives/detail.aspx?id=1149981&search=elementary+school+in+Kavaja&index=1 
5. Foto e vitit 1943 e Merushe Babamustës (rreshti i dytë në mes) dhe Fatime Babamusta (rreshti i parë në mes), shoqe klase me hebreun Jasa Altarac, ruajtur nga Neki Babamusta mbi 70 vjet. 
Beqir (1882-1947) dhe Rabihane Babamusta (1904-1977) kanë dy djem: Qemal (16 vjeç, vdekur gjatë luftës) dhe Nekiu (8 vjeç kur u shpëtuan hebrejtë), si dhe dy vajza, Merushe (ishte 13 vjeç, vdekur) dhe Bukurije (ishte 10 vjeç).
  
[Foto 6: Motra e Nekiut, Bukurije me burrin e saj Qazim Veizi (1965).
Foto 7: Motra e Nekiut, Merushe me burrin e saj Adem Tufina (1959).
Foto 8: Vëllai i Nekiut, Qemal Babamusta me shokun e tij Isuf Gashi (7. 14.1948)]
Në vitin 1943, shtëpia e Beqirit dhe Rabihane Babamustës ndodhej 700-800 metra para varrezave në Kavajë. Shtëpia e tyre ndodhej përballë shtëpisë së Mehmet Babamustës, që ka punuar Sekretar te Gjykata e Kavajës dhe ka pajisur me pasaporta/identitet shqiptar familjet hebreje, bashkë më vëllain Isuf dhe Mihal Lekatarin, përmbarues. Shtëpia e Mehmetit është edhe sot, dy katëshe, ku Mehmeti dhe vëllai Isufi jetonin. Sot rruga që kalon tek shtëpia e Beqirit dhe Mehmeti i është vënë emri “Rruga Mehmet Babamusta” për nder të Dëshmorit të Kombit (Mehmet Babamusta). Ndërsa lagja sot quhet “Lagja Zguraj”. 
Prapa shtëpisë së Mehmet Babamusta, ishte shtëpia e tre nipërve të Beqir Babamustës dhe përkatësisht: Halit Babamusta (llogaritar), Ragip Babamusta (rrobaqepës) dhe Qamil Babamusta (shofer). Gruaja e Halitit me origjinë nga Vlora, merrte informata nga familja e saj në Vlorë për familjet hebreje në Vlorë që kishin nevojë për strehim në Kavajë dhe tre nipërit gjenin vendbanim për ta. Haliti, Ragipi, dhe Qmaili koordinonin veprimet me Mehmet Babamustë, Isuf Babamustë dhe Mihal Lekatarin për të gjetur strehim dhe dhënë dokumenta identiteti për familjet hebreje. 
Sipas Arkivës së Shtetit 178 hebrej janë shpëtuar në Kavajë. Janë ndihmuar me koordinimin e zyrtarëve të lartë: Ethem Cara (Ministër i Financave), familja e tij persekutuar nga Gjenerali i Gestapos, burgosur me 101 vjet nga komunizmi dhe shoku i tij i ngushtë Ibrahim Babamusta (nip i Beqir Babamusta, Inspektor te Ministria e Arsimit, Tiranë, i persekutuar politik). Ethemi dhe Ibrahimi bashkëvepronin me personat e lartpërmendur për të gjetur strehim, transport dhe shërbime të tjera për famliljet hebreje.
Shqipëria hapi kufijtë për të shpëtuar çdo hebre
Kur Hitleri mori pushtetin në vitin 1933, të parët që i shpalli ‘të padëshiruar’ për kombin gjerman ishin hebrejtë që jetonin në Gjermani, Europë, e kudo. Libri i tij “Kulturkampf” parashtronte idetë famëkeqe të nazistit, ku quante rracën gjermane ariane “si më e pastra dhe e zgjuara, caktuar nga Zoti të pushtonte dhe të sundonte botën”. Të parën në ndjekje, vunë kombin e Izraelit, si popull tepër inteligjent, i shkolluar dhe i pasur. Hitleri fillimisht ndoqi inteligjencën izraelite në Gjermani si dhe shkencëtarët izraelitë, që nga i madhi Albert Einstein, që ka ardhur në Shqipëri me pasaportë shqiptare për t’i shpëtuar përndjekjeve naziste. Më pas Hitleri ndoqi biznesmenët e mëdhej hebrej duke i rrëmbyer pasuritë. Për të shfarosur këtë komb inteligjent, përveç vrasjeve dhe internimeve, Hitleri shfarosi nëpër kampet e përqendrimit në krematoriume (furrat e vdekjes) mbi 6 milionë hebrenj. 
Populli shqiptar krenohet për humanizmin e tij sepse shpëtoi jetën e mbi 2400 hebrejvee. Ish Mbreti Zog, për humanizmin dhe inteligjencën që karakterizonte izraelitët, në 1938 nënshkroi marrëveshjen me Europën që nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të sillte në Shqipëri disa mijëra hebrej. Në fillim u instaluan në Vlorë dhe pastaj në tërë Shqipërinë. Qyteti i Kavajës shërbeu si urë kalimi tranziti i hebrejve, nëpër fshatëra dhe qytete të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëpërmjet detit Adriatik nga fshati Spille i Kavajës, hebrejtë kanë kaluar në Bari të Italisë, ku u shpërndanë në tërë Europën dhe në Amerikë. 
Në fazën e parë të ardhjes së izraelitëve në Kavajë në 1943 janë shpëtuar 178 hebrej. (Arkiva Shtetërore Tiranë), punë që vazhdoi edhe me qindra të tjerë, të ardhur në fazat e tjera gjatë vitit 1943 e në vazhdim.
[Foto 9: Qyteti i Kavajës, në vitin 1956; Neki Babamusta (në mes) duke dalë shëtitje me shokun dhe kolegun e tij Sami Maliqati në lagjen Sallbek. Në 1956 Nekiu ishte mësues në Rreth-Greth, Patk-Milot]
Rrëfim nga Neki Babamusta (Mësues i Merituar) 
Në tetor 1943 në shtëpinë e babait tim, Beqir Babamusta u mirëprit dhe u dha besa për të shpëtuar jetën e një familje izraelite. Familja izraelite u strehua në shtëpinë tonë për tre muaj. Për të siguruar jetesën e tyre në shtëpinë tonë babai bashkëpunoi me dy vëllezërit e tij, Murat dhe Osman Babamusta bashkë me djemtë e tyre, Ibrahimi , Ragipi , Haliti dhe Qamili , të ndihmuar nga dy kushërnj të afër Mehmet dhe Isuf Babamusta . 
Nëpërmjet kushërinjve Ragip, Mehmet dhe Ibrahim Babamusta sollën për strehim në shtëpinë tonë një familje izraelite rrobaqepës prej 4 vetësh: burrë e grua me dy fëmijë (djalë e vajzë). Edhe pse ishte rrezik i madh nga kontrolli i Gestapos gjermane, i pranuam si miq dhe i dhamë besën për t’i shpëtuar jetën. Para kapitullimit të Italisë (8 shtator 1943) po në shtëpinë tonë u strehuan edhe 6 ushtarë dezertorë italianë dhe mbaj mend që hanim bashkarisht dhe qëroja misër bashkë me to, me dy motrat e mia Merushe dhe Bukurije dhe nënën time Rabihane te magazina jonë e bereqetit, vendi i strehimit. 
[Foto14: Neki Babamusta, 14 vjeç në shkollën pedagogjike dy-vjeçare në Shkodër, më 21.7.1950]
Unë isha vetëm 8 vjeç në atë kohë, por edhe sot më kujtohen shumë mirë ato ditë kur ndanim bukën në të njëjtën tavolinë me familjen izraelite. Babai im, Beqir Babamusta (tregtar), komunikonte me to në italisht. Nëna ime Rabihane Babamusta, i mbajti izraelitët si pjesëtarët e familjes duke u përkujdesur me dashuri, që të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Familja na tregoi që pjestarët e tjerë të familjes izraelite dhe shumicën e fisit ia kishin vrarë gestapoja hitleriane. 
Ne të gjithë jetonim me frikën e kontrollit sepse po të zbuloheshim që kishim strehuar izraelitë, do na pushkatonin nazistët. Po ashtu jetonim me frikën e zbulimit sepse vëllai im, Qemal Babamusta, ishte partizan në malësinë e Pezës (inkuadruar në çetën luftarake me komandant Jonuz Hekrama), në luftë kundër pushtesve gjermanë, pranë komandës së oficerëve anglezë, që bashkëpunonin me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare. 
  
   
[Foto 15: Muharrem Elezi dhe Qemal Babamusta, (vëllai i Nekiut, ushtar në Tiranë, 1951]
Për të mos rënë në sy, babai, Beqiri e veshi çiftin izraelit me rroba fshatare vendase, me çedikë (pantallona të gjëra leshi), xhubletë (xhaketë prej leshi), me qeleshe në kokë, brez të kuq (brezore) dhe opinga në këmbë (këpucë). Gjatë strehimit 3-mujor, familjen izraelite e mbanim në shtëpi, ku hanim dhe jetonim së bashku. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtarëve gjermanë, i fshihnim në kasollen tonë të bagëtisë, që ishte 700 metra larg shtëpisë sonë. 
Kontrollet e befasishme naziste
Më kujtohen shumë mirë dy raste tronditëse kur erdhën ushtarët gjermanë për kontroll në shtëpi. Ne na ngriu gjaku të gjithëve nga frika se mos zbulohej familja hebreje. Ushtarët gjermanë përmbysën çdo gjë, duke thyer dhe shkatërruar orenditë e shtëpisë, hedhur përmbys dyshekë, rafte, dollape e gjithçka. Në kishim një shtëpi dykatëshe atëherë, dhe ushtarët gjermanë nëpërmjet shkallëve prej druri u ngjitën edhe tek kati i dytë, duke kontrolluar edhe papafingon nën çati. Prindërit e mi dhe dy motrat e mia (Bukuria10 vjeçe dhe Merushe13 vjeçe) i nxorrën jashtë. Ndërsa unë kisha mbetur i ngrirë dhe i tronditur pranë shkallëve kur 3 ushtarët me oficerin e Gestapos po ngjiteshin lart si të tërbuar për kontroll. Ushtarët ulërisnin duke na kërcënuar me automatikë: “Ku i keni hebrenjtë. Tregoni hebrenjtë se do t’ju vrasim”. Kur nuk gjetën gjë në shtëpi ikën si të çmendur me të bërtitura. 
Banorët e lagjes e dinin që ne kishim fshehur një familje izraelite. Kur shikonin lëvizje në lagje, na vinin me vrap dhe na njoftonin për të mënjanuar rrezikun e kontrollit gjerman. Menjëherë ne e fshihnim familjen në vendin e sigurtë, te kasollja. Unë dhe babai im, me ndihmën e banorëve të lagjes, rrinim vigjilentë për çdo lëvizje për të patur kujdes. Shpesh dilja në rrugë për të shikuar lëvizjen e ushtarëve gjermanë dhe për çdo rast lajmëroja nënën për të fshehur miqtë izraelitë, ashtu siç veprova edhe për të shpëtuar ushtarët dezertorë italianë. Askush nuk denoncoi tek komanda naziste për hebrejtë tek shtëpia jonë. 
[Foto 16: Rabihane Babamusta (1904-1977), nëna e Neki Babamustës, dalë te shtëpia e vjetër më 1961 në Kavajë, ku u strehua familja hebre duke e fshehur nga nazistët gjermanë]
Pas tre muajsh u bënë përgatitjet për ta nisur familjen izraelite në Itali nëpërmjet fshatit Spille. Në fshatin Spille, në Rreth-Greth dhe Patk-Milot, fisi Babamusta kishte toka, prona dhe bagëti. Fshati Spille ishte një port i vogël, ku fisi Babamusta (babi im Beqiri bashkë me mikun e tij Ramazan Cani) bënte tregti me Italinë dhe Francën. Djali i xhaxhait, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit) përgatiti posaçërisht për familjen 4 pasaporta shqiptare, në bashkëpunim me përmbaruesin e tij Mihal Lekatarin (Mësues i Merituar). Në këtë kohë Mehmet Babamusta punonte në Gjykatën e Kavajës, si sekretar gjyqi, ndërsa Mihal Lekatari punonte tek Gjykata e Kavajës si përmbarues. 
Babai im Beqiri bashkë me nipin e tij, Qamil Babamusta e nisën familjen hebre, (veshur si fshatarë për të mos u dalluar), në fshatin Patk-Milot të Kavajës, (afër fshatit Spille), tek miqtë e Babamustëve, Sel dhe Dyl Zyba (atë e bir). Fisi Babamusta me familjen patrioke dhe të persekutuar Selë dhe Dyl Zyba ka patur lidhje miqësore tradicionale. Fisi Babamusta i besoi familjes Zyba, pritjen dhe shoqërimin e Ismail Qemalit për në Vlorë me 26 nëntor 1912, shoqëruar nga forcat kryengritëse të patriotëve Bajram Xhani dhe Ramazan Canit (miqtë e fisit Babamusta). Po kësaj familje të nderuar Zyba i besuam pritjen dhe përcjelljen e familjes Izraelite. 
Sigal