Në pranga turku, ekzekutoi dy shqiptarë në lokalin që menaxhonte

433
Menaxheri turk i një lokali në Holandë u arrestua dje nga policia lokale, pasi ishte dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy shqiptarëve në vitin 2011. Asokohe u dyshua se vrasja kishte ndodhur për një zënkë momentale mes menaxherit dhe shqiptarëve dhe shtetasi turk ndodhej në arrati, derisa dje iu vunë pranga. Mediat vendase raportonin dje se u arrestua shtetasi turk, Murat Baran, menaxheri i bar “Tornado” në Antwerp. Para një viti, teksa gjykohej në mungesë, Baran u gjet fajtor për vrasjen e dyfishtë. Turku u dënua me burgim të përjetshëm, por tani që u arrestua procesi gjyqësor mund të rinisë nga e para. 

Vrasja ndodhi më 30 prill të viti 2011, kur menaxheri Baran erdhi në lokal dhe sipas dëshmitarëve, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodheshin brenda që të dilnin jashtë. “Një ditë më parë kishte pasur një incident me disa shqiptarë të dehur”, deklaroi asokohe bashkëpronari Tabitha. O. Më tej Baran dyshohet se mori një pistoletë 9 mm dhe filloi të qëllonte ndaj shqiptarëve, ku shkëmbimi i zjarrit vazhdoi edhe në rrugë. Në ato momente, 41-vjeçari Agron Berisha mori një plumb në qafë dhe vdiq në vend. Sakaq, shqiptari tjetër, Elis Mustafa, u qëllua me pesë plumba dhe vdiq pak më vonë në spital. Nga të shtënat, katër persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë aksidentalisht edhe një kalimtar. Pas vrasjeve, shtetasi turk u arratis, ndërsa ndaj tij nisi një proces gjyqësor në mungesë, që zgjati 3 vjet, ku në fund gjykata vendosi ta dënonte me burg përjetë. Prokuroria solli dëshmi, filmime dhe prova, të cilat sipas saj vërtetonin vrasjen e shqiptarëve nga turku. Tanimë që Baran është prangosur, pala mbrojtëse ka të ngjarë të kërkojë rinisjen e gjyqit.
Sigal