“Në Gjermani si punëkërkues, jo si azilantë”

633
Sigal

Problemet ekonomike, papunësia, varfëria e strehimi vazhdojnë të mbeten faktorët nxitës për largimin drejt Gjermanisë.

Nga 34 mijë qytetarë nga Shqipëria që kërkuan azil në Gjermani në 2016 u pranuan vetëm 10 vetë.

Prej pesë muajsh Akil Varfi, gjimnazist në Shkodër, ushqen vetëm një ëndërr: të rikthehet në Duisburg, qytetin gjerman pranë Düsseldorfít. Atje ku kërkoi familja e tij azil, atje ku jetoi me prindërit dhe tre motrat nga shkurti 2014 në gusht 2016 në pritje të përgjigjes për të drejtën ose jo të marrjes së azilit. Akili preu biletën e avionit dhe u kthye në Shkodër para 5 muajsh kur përgjigja erdhi negative. Ishte 12 gushti i vitit të kaluar kur u riktheva në Shkodër. Për fat të mirë nuk kishim shitur shtëpinë. Në shtator fillova gjimnazin atje ku e pata lënë, në vitin e dytë. Kisha humbur dy vite, shokët e mi filluan universitetin. Prindërit dhe motrat u kthyen 3 muaj më vonë, babai gjeti në Duisburg një avokat, pagoi 500 euro për të kundërshtuar vendimin e rikthimit në Shqipëri. Por nuk fitoi”, thotë për DW, Akil Varfi. Ai tregon se vendimin për të ikur nuk po e bluanin prej shumë kohësh në mendje. E morën tak-fak, brenda 2-3 ditësh. Prindërit ishin pa punë. Gjashtë vetë në një shtëpi të vogël. Në Shkodër ishte hapur fjala se Gjermania pranonte azilantë nga Shqipëria. Në rrjetet sociale thuhej e njëjta gjë. Një mëngjes shkurti të vitit 2014 u nisën me një taksi nga Shkodra drejt Duisburgut ku kishin disa miq. Ishte 14 shkurt. Mbërritëm pa probleme dhe të ndihmuar nga miqtë tanë shkodranë shkuam tek autoritetet lokale dhe aplikuam për azil. Në fillim na vendosën në kamp ku kishte njerëz nga shumë kombësi. Jeta në kamp nuk ishte e lehtë, kishte rregulla strikte, të rrepta. Pas disa muajsh bashkia na dha një shtëpi, diku në qendër të Duisburgut. Por ishte vështirë të gjenim punë, ishim të papërgatitur, nuk dinim gjuhën, nuk njihnim ligjet dhe institucionet gjermane. Ajo që unë e familja ime kuptuam në fund krejt qartë është se zgjodhëm një rrugë të gabuar për të punuar dhe jetuar në Gjermani. Por koha që kalova në Duisburg, gjithë sa mësova, njerëzit që njoha ndryshuan jetën time .. tani ushqej ëndrrën që të kthehem atje përsëri, jo si azil-kërkues por si punë-kërkues apo student”, thotë Akili.
Fluksi i emigrantëve nga Shqipëria në Gjermani pritet të vazhdojë
Përvoja e Akilit është e njëjtë me dhjetëra mijëra azilkërkues nga Shqipëria të kthyer nga autoritetet gjermane. Por edhe pse ata janë modeli i dështimit të përpjekjeve për të fituar në Gjermani azil me motive ekonomike, fenomeni vazhdon. Gjithsesi në shifra më të ul♪7ta. Sipas një studimi, të publikuar kohët e fundit, produkt të Fondacionit Gjerman”Hans Seidel”në Tiranë dhe Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, 53. 805 qytetarë nga Shqipëria aplikuan për azil në Gjermani gjatë vitit 2015. Autoritetet gjermane dhanë përgjigje pozitive vetëm për 55 syresh, pra, për rreth 0,1 % të numrit total të aplikantëve. Kjo shifër dhe kthimet në Shqipëri pas përgjigjeve negative do të duhej të frenonin vijimin e ikjeve drejt Gjermanisë dhe aplikimeve për azil. Por nuk ka ndodhur kështu. Gjatë 10 muajve Janar –Tetor 2016 autoritetet gjermane regjistruan 34 mijë kërkesa për azil. Prej tyre ata miratuan vetëm 10 syresh dhe asnjë leje pune!

“Ky lloj fluksi emigrimi pritet të vazhdojë. Faktorët që shtyjnë shqiptarët të largohen nga vendi nuk mund të zhduken si me një shkop magjik. Problemet ekonomike, papunësia, varfëria, strehimi do të vazhdojnë të mbeten faktorë që do të nxisin largimin nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Rritja e parashikuar ekonomike dhe përbërja e tanishme e sektorëve industrialë dhe shërbimeve, popullsia në zonat rurale, epërsia e kompanive të vogla, – 90 % e tyre, të regjistruara në Shqipëri kanë deri në 4 vetë të punësuar- nuk mund të ofrojë tërheqjen në tregun e punës të të gjithë atyre që duan dhe janë të aftë për punë” thotë për DW, Ardian Haҫkaj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit.
Pse Gjermania?
Zgjedhja e Gjermanisë nga shqiptarët si vendi për të emigruar mbështetet në një sërë faktorësh tërheqës: ka një sistem të organizuar për pritjen e emigrantëve, përfitime në para për të gjithë periudhën e pritjes së përgjigjes për aplikimin për azil. “Prindërit e mi merrnin 250 euro në muaj para në dorë për ne, 4 fëmijët dhe 330 ata vetë. Autoritetet lokale na siguronin ushqime, veshmbathje dhe strehim falas. Prindërit e mi filluan të bëjnë punë sociale me 1 euro ora. Kishim shtëpinë në qendër të qytetit dhe jetonim në kushte shumë më të mira nga ato në Shqipëri.” tregon Akil Varfi. Një arsye tjetër e rëndësishme është edhe reputacioni që gëzon Gjermania në Shqipëri si vendi që ofron perspektivën më të mirë të jetës, si një vend serioz dhe i strukturuar për ta bërë këtë perspektivë të realizueshme. Italia dhe Greqia, dy vendet fqinjë ku shqiptarët emigruan së shumti në 20 vitet e para pas përmbysjes së regjimit komunist nuk mund të ofrojnë atë të ardhme që ofron Gjermania. Rënia e remitancave, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe sidomos kthimi në Shqipëri i dhjetëra- mijëra emigrantëve nga Greqia dhe Italia të mbetur pa punë pas krizës financiare të 2008-ës kthyen alternativat e emigrimit të shqiptarëve nga dy vendet fqinjë tek Gjermania.

Duisburg – qyteti i shpresës për Akil Varfin
Në Gjermani si punëkërkues
Perspektivën gjermane kërkon të kapë edhe Akil Varfi. Në Duisburg nisi të mësojë gjermanisht dhe frekuentoi një shkollë profesionale për sekretari. Në ditët e pushimit punonte pranë një prifti katolik si sekretar i tij dhe merrte një pagë modeste. Me pagën e tij preu biletën e avionit për t‘ u kthyer në Shqipëri, sapo autoritetet gjermane të Düsseldorfit i kthyen përgjigje negative. Koha e qendrimit në Gjermani i dha përvoja dhe këndvështrime të reja për jetën, ai u informua sesi funksionojnë gjërat në Gjermani, si është sistemi, si duhet respektuar për të qenë pjesë e tij. “Ka njerëz në Shkodër që duan të shkojnë në Gjermani si azil kërkues.. atyre u them, „ Jooo, Moos, nuk bëhet” dhe i rrëfej gjithë përvojën e familjes sime. U them ka rrugë të tjera , të sigurta: emigrimi si punëkërkues, gjuha gjermane, kontrata e punës. Kjo do të jetë edhe rruga ime. Hera tjetër do të jetë ndryshe, nuk do të shkoj si azil-kërkues por si punëkërkues, me një kontratë pune”, thotë Akili Varfi. Dëshira e Akilit dhe mijëra të rinjve dhe të rejave si ai mbështetet dhe ushqehet nga prioriteti që autoritetet e Tiranës i kanë dhënë arsimit profesional si edhe shtimi i numrit të kurseve të gjuhës gjermane nga Instituti Goethe në Tiranë për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të brezit të ri për të mësuar gjermanisht, si parakusht i vajtjes në Gjermani si punëkërkues apo student.