Në 28 nëntor opozita kosovare do të dalë në protesta

413
AAK ka konfirmuar se bashkë me VV dhe Nismën do të protestojnë në 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar, për t’i kundërshtuar marrëveshjet.
Zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj, ka thënë se do të ketë tubim protestues më 28 nëntor, në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Opozita nuk po del në protesta, por e ka caktuar një tubim protestues, për datën 28 nëntor. Kjo s’ka lidhje me festat. Tubimi do të jetë manifestim i qetë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe është caktuar 28 nëntori në orën 14:00 për shkak se është fundjavë, dhe njerëzit nuk e kanë ditë pune”, ka deklaruar Nitaj.
Ndër të tjera, Nitaj thekson se pretendimet se kjo datë po shfrytëzohet për masivitet të pjesëmarrjes së qytetarëve në protestë, nuk qëndron. “Pretendimet se kjo datë është caktuar për të shfrytëzuar 28 Nëntorin si festë nuk qëndrojnë”, ka thënë Nitaj.
Ndërsa dy partitë e tjera opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Nisma”, nuk e kanë konfirmuar nëse protesta do të mbahet më 28 Nëntor. “Ne jemi në Parlament dhe do të protestojmë brenda tij çdoherë që organizohet seancë, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë për “Zërin”, zëdhënësi i LVV-së, Frashër Krasniqi. /Zeri/
Sigal