Në përpjekjet për të luftuar vetëvrasjet, Britania e Madhe ka emëruar një ministër i cili “do të sfidojë këtë stigmë” që ka të bëjë me problemet mendore, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, i cili tha se në samitin e parë të mbajtur ndonjëherë për shëndetin mendor, Qeveria e Britanisë ka emëruar Jackie Doyle-Price-in, për ministre që do të udhëheqë me luftën për parandalimit të vetëvrasjeve.

“Çdo vetëvrasje është një vdekje e parandalueshme për çka jemi të përkushtuar të bëjmë çmos për të luftuar tragjedinë e vetëvrasjes”, tha Hancock.

Doyle-Price, nga ana e saj tha se është e vetëdijshme “sa tragjike, shkatërruese dhe me efekte afatgjate mund të jetë vetëvrasje për familjet dhe komunitetin”.

“Në kohën sa isha ministre e Shëndetësisë, takoja njerëz të cilët ishin përballur me një vetëvrasje (në familje), ndërsa rrëfimet e tyre dhe dhimbja e përjetuar nga humbja jetonin përgjithmonë”, tha ajo.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, së fundmi u zotua se do të alokojë 1.8 milion sterlina për organizatën bamirëse Samaritans, e cila është e regjistruar si organizatë e cila lufton vetëvrasjet.

Në vitin 2017, Britania e Madhe ka regjistruar 5.821 vetëvrasje, flasin të dhënat e Zyrës Kombëtare për Statistikat.